Masat për COVID-19/ Balla: Kuvendi i Shqipërisë nuk do të mblidhet në seancë plenare

TIRANË, 11 mars /ATSH/ –Kuvendi i Shqipërisë nuk do të mblidhet në seancë plenare, në kuadër të masave të domosdoshme për situatën e emergjencës.

Lajmin e ka dhënë kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili thekson se, “deputetët do të vijojnë angazhimin e tyre në komisione dhe në ndjekjen e situatës, duke respektuar masat e rrepta të përcaktuara nga MSH”.

“Frikë jo, kujdes po! Masat shtrënguese do të vijojnë sipas planit dhe kontributi i çdo qytetari është esencial për përballimin me sa më pak pasoja të armikut të padukshëm që kërcënon shëndetin tonë e të njerëzve më të dashur rreth nesh”, ka theksuar Balla.

“Seanca plenare e parashikuar për tu zhvilluar nesër më datën 12.03.2020 shtyhet deri në njoftim të dytë, për shkak të situatës së krijuar dhe në kuadër të masave mbrojtëse ndaj COVID-19 (coronavirus)”, thuhet në një njoftim të zyrës për shtyp të Kuvendit.

 

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.