Koronavirusi, Spiropali: Masat frenojnë përhapjen dhe nuk vendosin në kolaps sistemin shëndetësor

TIRANË, 11 mars/ATSH/Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëherazi zëdhënëse e qeverisë, Elisa Spiropali deklaroi se të gjitha masat e marra për situatën e krijuar nga koronavirusi, frenojnë përhapjen e tij dhe nuk e fusin në kolaps sistemin shëndetësor.

E ftuar në një studio televizive, Spiropali tha se masat e ndërmarra deri më tani ishim mëse të domosdoshme.

“Patjetër që situata është seriozë përderisa masa të tilla që ne i konsiderojmë të domosdoshme, jo ne si qeveri por taskforca që është ngritur dhe analizon të gjithë situatën e shikon hapat që duhen marrë e përshkallëzimin e situatës në raste të tilla, ka përcaktuar që ne duhet t’i marrim këto masa për të parandaluar por edhe për të frenuar përhapjen e kësaj sëmundjeje e cila ka tronditur botën. Nuk ka vend për frike dhe panik por për kujdes maksimal patjetër. Të gjitha masat që janë marrë në mbledhje qeverie apo si vendime të ministrisë së Shëndetësisë, pas konsultimit me taskforcën dhe pas propozimit të tyre, janë të tilla që e frenojnë situatën dhe nuk e fusin në kolaps sistemi tonë shëndetësor. Fakti që shkollat janë mbyllur deri në 23 mars, fakti që deri në 3 prill ndalohen të gjitha aktivitetet publike, sportive, kulturore por edhe kafenë, palestrat dhe gjithçka tjetër ku mblidhet një grup i madh njerëzish dhe këtu gjej rastin t’i bëj thirrje qytetarëve që të respektojnë në mënyrë rigoroze. Të gjitha masat që janë marrë janë për të mirën e tyre. Nuk është se na shijon që të frenojmë lirinë tonë. Një trup që është i shëndoshë me imunitet të fortë, ndoshta nuk e ndjen por mund të jetë bartës dhe mund të vrasë një njeri më të dobët apo një njeri në moshë. Kështu duhet t’a mendojmë, ta tregojmë dashurinë për familjen patjetër me vepra”, -tha Spiropali.

Sipas saj, me rëndësi mbetet ndërgjegjësimi qytetar.

“Ndërgjegjësimi qytetar është shumë i rëndësishëm, për të mos thënë thelbësor. Nuk mundet në asnjë vend të botës që qeveria të bëjë gjithçka, duhet që edhe niveli qytetar të jetë në nivelin e përballimit të këtij rreziku. Deri dje të gjitha kafenetë e palestrat ishin plot. Edhe rrokje kokë më kokë, edhe takime dore edhe përfaqësim edhe puthje nga tre herë. Duhet të ndalen këto aktivitete, njerëzit të qëndrojnë në shtëpi sa më gjatë që të munden me fëmijët e tyre. Është marrë një vendim qeverie që një nga prindërit në administratë të rrijë në shtëpi për 14 ditë. Nuk ka asnjë të keqe madje t’i kthehemi pak vatrës familjare sepse e kemi lënë pas dore. Të shikojmë bashkë me fëmijët ato programet mësimore të Ministrisë së Arsimit për matematikën, për kiminë, për gjuhën dhe me radhë. Ata që janë në administratë dhe punojnë përpara kompjuterit nuk kanë nevojë të vijë nëpër zyra, mund ta bëjnë punën nga shtëpia. Sot është ngritur një taskforcë e përbashkët e Policisë së Shtetit dhe ushtarake për të kontrolluar ata që vijnë nga vende që janë prekur nga sëmundja sipas OBSH-në, në këtë rast Italia dhe Greqia, duhet të vetëizolohen dhe këtë duhet ta bëjnë nga vetëdija e tyre. Në rast se nuk e bëjnë, do të ketë gjoba deri në 5 mijë euro”, -tha ndër të tjera Spiropali. z.tosku/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.