KINEMA – Dënohet me 23 vjet burg producenti i njohur Harvey Weinstein

NJU JORK, 11 mars /ATSH-AFP/- Ish-producenti i kinemasë Harvey Weinstein, i shpallur fajtor për përdhunim dhe ngacmim seksual, u dënua sot me 23 vjet burg, një dënim ky i rëndë dhe i një natyre shembullore në nivel global.

Dënimi i dhënë nga gjykatësi i Manhattan, James Burke, është shumë pranë dënimit maksimal, 29 vjet, për dy akuzat për të cilat Harvey Weinstein, 67 vjeç, u dënua më 24 shkurt.

Avokatët e ish-manjatit të Hollivudit kishin kërkuar nga gjykatësi James Burke për një dënim prej pesë vjetësh, minimumi ligjor, sipas ligjevetë shtetit të Nju Jorkut.

“Duke patur parasysh moshën e tij, çdo dënim mbi minimumin ligjor, do të ishte një dënim i përjetshëm”, thanë ata.

“Incidenti me Harvey Weinstein ndryshoi rrjedhën e jetës sime”, tha Mimi Haleyi, njëra nga viktimat e dhunës.

“Shpresoj që dënimi të jetë mjaftueshëm i gjatë që ai të kuptojë atë që më ka bërë mua dhe të tjerave dhe të pendohet me të vërtetë”, përfundoi ish-asistentja e producentit, dhunuar seksualisht prej tij në 2006./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.