Eliminatoret EURO 2021/ Kombëtarja shqiptare e femrave fiton në transfertë përballë Qipros

TIRANË, 11 mars /ATSH/ Kombëtarja shqiptare e femrave ka luajtur ditën e sotme ndeshjen e radhës eliminatore për UEFA Women’s Euro 2021 që do të zhvillohet në Angli. Vajzat kuqezi kishin përballë Qipron, me ndeshjen që është luajtur në Larnaka pa praninë e tifozëve, dhe kanë triumfuar me rezultatin 2-0, falë golave të Megi Doçit dhe Zylfie Bajramajt.

Pjesa e parë ka qenë e gjitha në dominimin e vajzave kuqezi të drejtuara nga trajneri Armir Grima, që kanë marrë kontrollin e lojës që në minutat e para duke ju afruar portës qipriote me aksione sulmuese shumë të rrezikshme. Në minutën e 30-të, Shqipëria zhvillon një aksion spektakolar me kombinimet e Doçit, Bajramit dhe Geldona Morinës që mbyllet me goditjen e bukur me kokë të kësaj të fundit duke gjetur reagimin perfekt të portieres qipriote që devijon në goditje këndi. Nga goditja e këndit Megi Doçi fiton penallti të cilën e shndërron në gol po vetë. Vazhdon loja e mirë e vajzave kuqezi, të cilat në minutën e 41-të janë pranë golit të dytë, përsëri me anë të Doçit. Me rezultatin 1-0 shkohet në dhomat e zhveshjes.

Fraksioni i dytë i lojës ka folur i gjithi për kombëtaren tonë, ka qenë sulmuesja që aktivizohet në radhët e “Ferronikelit”, Zylfije Bajramaj ajo që ka shënuar golin e dytë në këtë përballje duke vulosur edhe fitoren. Qipro 0-2 Shqipëri, mbyllet ndeshja e luajtur në orën 15:00, pa praninë e tifozëve.

Shqipëria luajti me këtë formacion: Rexhepi; Elezaj; Bajraktari; Rrahmani; Maliqi; Bajramaj (’90 Jashari); Morina; Krasniqi; Doçi; Gjini (’82 Bejleri); Franja (’90).

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.