BRITANI E MADHE – Miliarda stërlina ndihmë për bizneset dhe shërbimet shëndetësore

LONDËR, 11 mars /ATSH-DPA/- Qeveria britanike premtoi sot se do të shpenzojë miliarda stërlina për të ndihmuar bizneset dhe shërbimet shëndetësore gjatë ndërprerjes së ashpër ekonomike nga përhapja e koronavirusit.

Banka e Anglisë tashmë ka ulur normën bazë të interesit të Britanisë nga 0,75 % në 0,25 %, duke e barazuar me nivelin më të ulët të vendit, në një përpjekje për të forcuar ekonominë kundër ndikimit të krizës.

Ministri i Financave, Rishi Sunak njoftoi për një paketë masash të jashtëzakonshme për të inkurajuar stabilitetin ekonomik, duke përfshirë kredi, grante dhe koncesione tatimore për bizneset e vogla, si edhe pagesa më bujare për punonjësit e prekur nga virusi.

“Për një periudhë do të jetë e vështirë, por unë jam i sigurt se performanca jonë ekonomike do të rikuperohet” tha ai, duke shtuar se rënia e kërkesës dhe prodhimit ishin të pashmangshme.

Sipas guvernatorit, Mark Carney, përhapja e koronavirusit pritet të ketë një ndikim të madh dhe të thellë në ekonominë e Britanisë së Madhe, por nuk pritet të jetë aq i keq sa kriza financiare e vitit 2008, nëse qeveria e trajton atë mirë./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.