Thaçi: Pa liberalizim s’ka dialog në Bruksel, BE e papërgatitur për bisedimet me Serbinë

PRISHTINË, 10 mars /ATSH/ Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pas takimit që ka zhvilluar me të dërguarit europianë, të kryesuar nga këshilltari i kancelares Angela Merkel, Jan Hecker dhe këshilltari i presidentit Emmanuel Macron, Emmanuel Bonne, të cilët sot po qëndrojnë në Kosovë, ka thënë se pa heqjen e vizave nuk do të ulet në Bruksel për të biseduar me Serbinë.

Ai tha se edhe në këtë takim me këshilltarët e dy vendeve mike të Kosovës nuk është dëgjuar asgjë pozitive në lidhje me çështjen e heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës.

Kreu i Shtetit tha se ky mosunitet i Bashkimit Europian në lidhje me këtë çështje është i padrejtë.

Sipas tij BE është e papërgatitur për fazën e dytë të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Për fat të keq edhe sot nuk u dëgjua për liberalizimin e vizave për Kosovën, madje sikur të mos e hapja si temë nuk do e ngisnin së diskutuari dhe kjo është jashtëzakonisht zhgënjyese për qytetarët e vendit kur para pesë vitesh Bashkimi Europian ka qenë i gatshëm që të merrte vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën. Mendoj se ky mosunitet i Bashkimit Europian dhe ky qëndrim kundërshtues e tani edhe ndëshkues për Kosovën është i padrejtë. (…) Qëndrimi im ishte shumë i qartë në emër të institucioneve dhe popullit të Kosovës. Fillimisht Bashkimi Europian duhet të nxjerrë vendimin për liberalizimin e vizave, pastaj të mendojë se a ka kapacitete, hapësirë, vizion dhe lidership për të shtyrë përpara dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Nga ajo që unë kuptoj dhe shoh Bashkimi Europian sot është plotësisht i papërgatitur për fazën e dytë, ndërsa edhe për të parën gjithashtu kanë menduar në mënyrë elegante ta tejkalojë çështjen e liberalizimit të vizave. (…) Për mua dialogu i menduar për të vazhduar në Bruksel është i tejkaluar, fillimisht vizat pastaj hapen çështjet e tjera”, theksoi ai.

Madje Thaçi theksoi se pa ndodhur liberalizimi i vizave, si president i Kosovës ai nuk do të ulet në Bruksel për të biseduar me Serbinë.

“Përderisa nuk ndodh liberalizimi i vizave nga Bashkimi Europian, së paku unë si president i vendit nuk ulem në tavolinë në Bruksel, sepse nuk e meriton këtë kredi t’ia japë Kosova Brukselit sa i përket kësaj çështje. Ne meritojmë vizat, pastaj shohim për hapat e tjerë nga ajo që shoh, nuk ka kapacitet në Bruksel, nuk ka unitet dhe nuk ka qëndrim se si të lëvizet përpara. E para është liberalizimi i vizave, kjo është jetike, të tjerat janë çështje dytësore sa i përket Kosovës me Bashkimin Europian dhe relacionit me Serbinë. Ritheksoj se roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është i pazëvendësueshëm”, deklaroi presidenti Thaçi.

I pyetur se delegacioni gjermano-francez ka kërkuar gjatë takimit që të hiqet tarifa ndaj mallrave serbe dhe atyre boshnjake, Kreu i Shtetit tha se nuk kanë diskutuar për atë çështje.

Sipas tij ndërkombëtarët që vijnë në Kosovë duhet të jenë të qartë, pasi siç tha ai në takimin që ka zhvilluar sot, nuk ka parë qartësi për ndonjë çështje të caktuar.

“Ajo çështje nuk është diskutuar nga ana ime, mesazhi im ka qenë gjithmonë që Kosova duhet të prodhojë argumente pozitive për partnerët, miqtë tanë, është shumë me rëndësi që ndërkombëtarët që vijnë në Kosovë të jenë të qartë dhe unë sot nuk pash qartësi të them të drejtën për asnjë çështje, me përjashtim të hulumtimit të opinionit dhe proceseve. Por takimi i përbashkët ka qenë një takim krejt i zakonshëm, i bisedave të zakonshme dhe mendoj që Bashkimi Europian duhet të jetë shumë i qartë në veçanti për liberalizimin e vizave”, theksoi ai.

Jan Hecker, këshilltari i kancelares Angela Merkel, dhe Emmanuel Bonne, i presidentit francez Emmanuel Macron, para takimit me presidentin Hashim Thaçi kanë zhvilluar takim edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

/KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.