TIRANË, 10 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, duke folur për menaxhimin e situatës së krijuar nga koronavirusi në vend tha se “në asnjë vend tjetër të planetit nuk janë shfaqur kaq taskforca, taskforcë opozitare, presidenciale, dixhitale”.
“Ne besojmë shumë që është një rast që në radhë të parë personat publikë dhe mbi ta, për shkak të aksesit dhe të përgjegjësisë të gjithë përfaqësuesit e politikës, sot kanë detyrën të jenë bashkë dhe jo të ndahen në taskforca të ndryshme që janë praktikë e panjohur në planet. Çfarë mund të nxjerrim ne politikisht në kushtet e kësaj lufte përveç bojës tonë?”, tha Rama.
Kryeministri tha se “Shqipëria nuk është kaq e madhe dhe nuk ka kaq shumë ekspertë sa të ndahet në kaq shumë task-forca”.
“Më erdhi shumë mirë jo më larg se dje, kur kreu i opozitës mbajti një fjalë para opinionit publik që ishte as më shumë as më pak po fjalë e mbajtur nga të gjithë në të gjitha vendet që janë në luftë. Por sot as më shumë e as më pak gjithçka ndryshoi dhe ndryshoi duke nxitur panik përmes dezinformimit të pajustifikueshëm”, tha Rama.
Rama tha se “Shqipëria është e vogël dhe ka ekspertë të shkëlqyer por nëse në Italinë e madhe dhe në një vend me një prej sistemeve më ekselente të shëndetësisë në BE, sistemi kolapsoi dhe të gjithë përfshirë edhe mjekë e infermierë në pension u bashkuan, po ashtu edhe të gjitha institutet e ekspertëve, në Shqipërinë e vogël çfarë mund të bëhet veçse të bashkohen me autoritetin shëndetësor”.
Rama tha se “nuk ka asnjë problem nëse monitorohet dhe verifikohet situata, por kërkohet niveli i komunikimit dhe i bashkëpunimit, i mirëkuptimit jo në funksion të njërës palë apo tjetrës”.
“Këtu ne nuk jemi palë, jemi një komunitet njerëzor i kërcënuar nga një virus, jemi familjar dhe të moshuarit tanë janë të kërcënuar njësoj; jemi individë që kemi të dashurit tanë më të dobëtit të kërcënuar njësoj duhet nivel komunikimi për të bërë më mirë, për jo një zgjatim një bisht apo degëzim i helmatisur i luftës së përditshme mizerabël politike në kushte paqeje”, tha Rama.
