“Shkollat nuk u mbyllën që njerëzit të vlonin rrugëve”/ Kalo: Vetëndërgjegjësimi minimizon riskun, më të rrezikuar personat mbi 50 vjeç

TIRANË, 10 mars /ATSH/ -Mjeku Tritan Kalo deklaroi se “nëse një person ka kollë, temperaturë dhe vështirësi në frymëmarrje duhet të njoftojnë menjëherë urgjencën”.

“Janë të lutur të telefonojnë 127 nëse do të kenë 3 shenja madhore.  Së pari kollë dhe teshtitje të fuqishme, së dyti, temperaturë, së treti frymëmarrje të rënduar. Në këto raste është i justifikuar apelimi i urgjencës dhe adresimi në shërbimin e sëmundjeve infektive. Nuk lejohet vetëlëvizja, siç bënë një dy të sëmurë nga Skrapari. Kjo është shumë gabim për dy arsye: E para nuk është paravlerësuar dhe e dyta nëse vjen me mjetin tënd riskon edhe persona të tjerë. Si rregull kjo është e përcaktuar me protokoll, individët që kanë kontakt me të sëmurë të deklaruar duhet ose të qëndrojnë në shtëpi kur nuk kanë shenja të insuficiencës dhe ato që kanë shenja të lidhur ose jo me COVID-19 duhet të adresohen në shërbimet përkatëse”, tha Kalo.

Në lidhje me rastet e zbuluara, Kalo tha se, “ata që paraqesin shenja të insufiçencës respiratore duhet të adresohen në shërbimet përkatëse. Janë 28 persona të ndjekur në aspektin epidemiologjik që kanë pasur kontakte me këto persona. Vetëm 6 prej tyre kanë rezultuar pozitiv. Fatmirësisht asnjë me shenja klinike.  Ai i Durrësit është rast epidsodik. Do i bëja thirrje individëve shqiptarë që nuk e kanë të nevojshëm udhëtimin. Nëse janë në Itali dhe mundësisht  kontakti ka qenë maksimal, të evitojnë hyrjen në Shqipëri”.

“Duhet të mësojmë dhe kemi nxjerrë mësime nga eksperienca në Itali. Duke skeduar me kujdes çdo individ, duke ndjekur adresën e tij, intinerarin.  Italia ndoqi shembuj të gabuar. Ndërpreu lidhjen me Kinën, por nuk ndërpreu ardhjen e kinezëve apo italianëve me linja të tjera ajore nga vende të tjera. Rastet më të shpeshta janë në zonën veriore të Italisë ku mosha është më e madhe. Këto që janë në Shqipëri më i riu është 28 më e moshuara është 74 vjeç. Por më të rrezikuarit janë personat mbi 50 vjeç dhe ata që kanë sëmundje të tjera kronike si HIV/AIDS, kancer, diabet”, tha Kalo.

“Të evitohet mundësia e kontaktit. E shtojmë këtë rrisk me veprimet tona të papërgjegjshme. Masa ekstreme është vështirë të instalohen. Sepse dhe Italia kaloi shkallë pas shkalle. Numri nuk ta lejon që të marrësh masa kaq ekstreme, por të këshillon që të mos merren masa kaq ekstreme. Ajo që është e rëndësishme është vetëndërgjegjësimi”, tha Kalo.

“Ajo që më habiti, më mori dikush në telefon, më tha: Tek liqeni as për ditë vere nuk ka kaq shumë njerëz. Shkollat nuk u mbyllën që njerëzit të vlonin rrugëve. Është diçka e gabuar, ndërkohë që kërkohet mos frekuentohen shkollat, të evitohet mundësia e kontaktit të ngushtë , ne shtojmë këtë risk me veprimet tona të pa ndërgjegjshme”, tha Kalo.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.