Shahini, bashkëbisedim virtual me homologët e saj në kushtet e mbylljes së shkollave

TIRANË, 10 mars/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini ka zhvilluar sot një takim virtual me ministrat e arsimit në kuadër të kryesimit të OSBE nga Shqipëria, ku kanë ndarë edhe eksperiencat e shteteve për adresimin e çështjeve që lidhen me një proces sa më të rregullt arsimor në këtë fazë ku nuk mund të frekuentohen shkollat.

Kanë qenë ministrat e arsimit të 72 shteteve, përfshirë edhe vendet më të prekura nga koronavirusi, të cilët kanë bashkëbiseduar për të ndarë eksperiencat më të mira të arsimimit në kushte të mbylljes së shkollave.

Ministrja Shahini ka nënvizuar se mes homologëve të të gjitha shteteve pjesëmarrëse në këtë video-konferencë, po diskutohet për mësimin online, mënyra se si do të integrohet përdorimi i rrjeteve sociale, përgatitja e materialeve video për mësimdhënie, përdorimi i televizionit në dobi të nxënësve, në mënyrë që procesi mësimor të mos pengohet edhe pse në kushte të tilla.

z.tosku/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.