“Rastet janë adresuar saktësisht”/Kreu i OBSH në Shqipëri: Besim te masat e qeverisë, qytetarët të zbatojnë këshillat

TIRANË, 10 mars /ATSH/ – Kreu i OBSH në Shqipëri Raul Gonzales Montero, apeloi që qytetarët duhet të bëjnë siç iu këshillohet nga qeveria.

Në një intervistë televizive Gonzalez u shpreh se, “gjërat duhet të analizohen pas disa kohësh, pasi gjërat të kenë evoluar edhe pak. Ndodh transmetimi, për shkak se njerëzit ndërveprojnë. Duhet që të presim edhe njëfarë kohe që të shohim si ecin gjërat”.

“Jemi të gjithë të shqetësuar për atë që po ndodh në Itali. Ne duhet të kemi besim se masat që po ndërmerr qeveria shqiptare të jenë të suksesshme. Është thelbësore që të shmangim situatën, kur sistemi të mbytet nga persona të infektuar. Në Itali sistemi është i përmbytur, edhe në disa vende të Spanjës sistemi është i përmbytur gjithashtu. Mbyllja e shkollave mund të ketë qenë një masë e mirë. Janë disa masa thelbësore që duhen marrë, duhen larë duart. Të shmangin vajtjen në objekte kulti etj”, tha Gonzales.

“OBSH ka kapacitetet për të ndërhyrë në këtë fazë të sëmundjes. Qeveria dhe OBSH janë këtu për të ndërprerë përhapjen e virusit. Ka shumë rëndësi edhe sesi njerëzit të veprojnë, njerëzit duhet të bëjnë siç iu këshillohet nga qeveria. Njerëzit duhet të mos takohen me dorë, as përqafohen, të mos rrinë shumë veta në një ambient të mbyllur”, tha ai.

Raul Gonzales Montero u shpreh se edhe vendet e Ballkanit Perëndimor tashmë kanë identifikuar raste, duke thënë se beson se rastet janë adresuar në mënyrë të saktë.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë qenë të fundit që kanë identifikuar personat e prekur. Fatmirësisht aktualisht janë pak persona të prekur, ndërsa më vonë mund të ketë edhe më shumë dhe është normale. Është regjistruar edhe rasti i parë në Mal të Zi. Kosova nuk ka rast, ndërsa Maqedonia e Veriut ka raste. Kemi mbi 1000 persona të prekur. Nuk mendoj se ka mungesë transparence dhe mendoj se rastet janë adresuar saktësisht”, tha ai.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.