Papunësia, rekord rënieje gjatë tremujorit IV të 2019-s: Arrin nivelin 11,2 %

TIRANË, 10 mars /ATSH/ Papunësia në vendin tonë shënoi rekord tjetër rënieje gjatë tremujorit të katërt të vitit 2019 duke arritur në 11,2%, e nxitur kjo nga rritja e punësimit në sektorët e industrisë, shërbimeve dhe bujqësisë.

Sipas Institutit të Statistikave (INSTAT) në tremujorin e katërt të vitit 2019, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç ishte 61,6%.

Nga publikimi i sotëm i të dhënave për tremujorin e katërt të vitit 2019 të Forcave të Punës, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë 15-64 vjeç, ishte 69,7%. Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2018, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës ishte 1,0 pikë përqindje më e lartë, ndërkohë krahasuar me tremujorin e mëparshëm ky tregues shënoi një ulje prej 0,1 pikë përqindje.

Për gratë, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës ishte 61,9 %, ndërsa për burrat ky tregues ishte 77,7 %. Për burrat, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës ishte 15,8 pikë përqindje më e lartë sesa për gratë. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2018, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për gratë u rrit me 1,3 pikë përqindje dhe për burrat u rrit me 0,8 pikë përqindje.

Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2019, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç ishte 51,7%. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e katërt 2019, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 79,2%. Punësimi gjatë tremujorit të katërt të vitit 2019, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç ishte 61,6 %. Ritmi vjetor i rritjes së punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart, nga tremujori i katërt i vitit 2018 në tremujorin e katërt të vitit 2019, ishte 3,1%. Në terma vjetorë, rritja e punësimit sipas sektorëve kryesorë të ekonomisë ishte 6,4% në sektorin e industrisë, 2,3% në sektorin e shërbimeve dhe 2,3% në sektorin e bujqësisë. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e katërt 2019, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart u rrit me 0,1 %. Punësimi pësoi rritje në sektorin e industrisë me 1,7%, pati ulje të lehtë në sektorin e shërbimeve me 0,6%, dhe rritje të lehtë të sektorit të bujqësisë me 0,1%.

Shkalla e punësimit për burrat është 68,5%, ndërsa për gratë 54,8%. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2018, shkalla e punësimit për burrat është rritur me 1,6 pikë përqindje dhe për gratë me 1,7 pikë përqindje. Shkalla e punësimit të të rinjve është 40,6%. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e katërt 2019, shkalla e punësimit është 72,7%.

Papunësia Në tremujorin e katërt 2019, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri është 11,2 %. Në terma vjetorë, shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 1,1 pikë përqindje. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0,2 pikë përqindje. Shkalla zyrtare e papunësisë për burrat është 11,3 % dhe për gratë 11,0 %. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2018, shkalla e papunësisë për burrat ka rënë me 1,2 pikë përqindje, ndërsa për gratë ka rënë me 0,9 pikë përqindje.

Shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë gjatë këtij tremujori ishte 21,4 %. Në terma vjetorë shkalla e papunësisë së të rinjve shfaqi tendencë në rënie. Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2018, shkalla e papunësisë për të rinjtë në tremujorin e katërt të vitit 2019 ishte 0,9 pikë përqindje më e ulët. Krahasuar me tremujorin e tretë 2019, shkalla e papunësisë për të rinjtë mbeti në të njëjtin nivel. Shkalla e papunësisë për grupmoshën 30-64 vjeç ishte 8,3 %. Në terma vjetorë, ky tregues pësoi një rënie prej 0,9 pikë përqindje. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, për këtë grupmoshë shkalla e papunësisë u ul me 0,2 pikë përqindje. Popullsia ekonomikisht joaktive gjatë tremujorit të katërt të vitit 2019, 17,9 % e popullsisë ekonomikisht joaktive dhe në moshë pune (15-64 vjeç) ishin duke përmbushur detyrat shtëpiake, 11,8 % e saj ishte në pension ose pension të parakohshëm, ndërsa 10,9 % në paaftësi të përhershme. Gjatë tremujorit të katërt 2019, 9,3 % e popullsisë ekonomikisht joaktive (në grupmoshën 15-64 vjeç) deklaruan se nuk po kërkonin punë, pasi besonin se nuk ka punë të disponueshme, pra klasifikohen si të papunë të dekurajuar.

Të rinjtë e moshës 15-29 vjeç që deklaruan se janë nxënës/studentë, ose në trajnim përbëjnë 72,2 % të të rinjve ekonomikisht joaktivë. Ndër të rinjtë e moshës 15-29 vjeç ekonomikisht joaktivë, 7,0 % klasifikohen si të papunë të dekurajuar. Në popullsinë e moshës 30-64 vjeç, ky grup përbën 12,3 % të popullsisë ekonomikisht joaktive të kësaj grupmoshe.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.