Ndërtimi i banesave për të prekurit nga tërmeti, APP shpall garën ndërkombëtare

TIRANË, 10 mars/ATSH/ Qeveria ka shpallur garën ndërkombëtare për rindërtimin e 2500 banesave individuale për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit që lamë pas që do të ndërtohen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Agjencia e Prokurimit Publik publikoi sot dokumentet standarde të procedurës së përshpejtuar për rindërtimin e shtëpive individuale në zonat e prekura nga tërmeti.
Pjesë e dokumenteve të tenderit janë skicimet, planimetritë e objektit, specifikimet teknike të materialeve, relacioni teknik, lista kryesore e zërave të punimeve, etj.

Vlera e përafërt e kontratës llogaritet 6.2 miliardë lekë dhe fondi është pjesë e fondit të rindërtimit prej 20 miliardë lekësh, miratuar në buxhetin e vitit 2020.

Marrëveshja përfshin rindërtimin e shtëpive individuale sipas projekteve model (1+1, 1+2, 1+3) në territorin e bashkive Durrës, Kamëz, Kavajë, Rrogozhinë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Mirditë, Shijak dhe Vorë.

Rindërtimi i shtëpive individuale mund të bëhet në mënyrë të grupuar ose veç e veç (në shtëpitë ekzistuese) sipas përcaktimit të shesheve të ndërtimit të caktuara në planet e detyruara vendore.

Afati kohor për dorëzimin e ofertave ose kërkesave për pjesëmarrje është data 19 mars./a.gjonaj/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.