Mjekët dhe infermierët 1 mijë euro plus në muaj, sanitaret dhe shoferët 500 euro

TIRANË, 10 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në mbledhjen e qeverisë se personeli mjekësor, mjekë e infermierë do të marrin një mijë euro pagesë plus ndërsa sanitaret dhe shoferët 500 euro, për faktin që po qëndrojnë të parët në frontin e “luftës” ndaj koronavirusit.

“Sot ne, sipas parashikimit jo për arsye tjetër dhe sipas meritës, kemi vendosur që të gjithë personeli mjekësor, mjekë dhe infermiere , sanitarë dhe shoferë të angazhuar në sistemin e vijës së parë, në luftën frontale të koronavirusit. Pra,nga autoambulancat që shkojnë për vendosjen e tamponave që marrin analizat tek zona e blinduar e infektivit. Do t’i paguajmë 1 mijë euro plus në muaj deri në mbarim, mjekë e infermierë dhe sanitarët dhe shofer 500 euro plus. Natyrisht që në formulimin e vendimit do të specifikohen të gjitha”, tha Rama.

Më tej, kryeministri tha se edhe figurat e rëndësishme mjekësore në Shqipëri që edhe pas daljes së tyre në pension po japin kontributin e tyre në këtë situatë, do të marrin një pagesë shtese 1 mijë euro në muaj.

“Nga ana tjetër, ka disa figura të mëdha e të respektuara mjekësia shqiptare dhe kjo është koha që mendja eksperiencë, kthjellësia janë pasuria më e çmuar. Disa njerëz që janë ende shumë dinamikë, ende shumë të fortë edhe pse i kanë ndërprerë marrëdhëniet e punës i kanë shkaktuar. Edhe ata do të paguhen një mijë euro mbi pensionin e tyre për të kontribuar në këtë luftë. Nuk e përsëris fjalën luftë për asnjë zmadhim. Unë nuk e kam zmadhuar dhe nuk e zmadhoj kërcënimin e kësaj epidemie, por pa diskutim që ka kapacitet për marrjen e jetës së njerëzve, është një armik dhe ne do të bëjmë çmos, gjithçka që ta përballojmë si një armik dhe ta vrasim si një armik duke zvogëluar sa ta jetë e mundur, plagët, dhimbjet dhe humbjet”,  -tha ndër të tjera kryeministri. z.tosku/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.