Mbi gjithçka shëndeti/ Mjeku Flamur Topi videomesazh për hapat mbrojtëse ndaj COVID-19

TIRANË, 10 mars /ATSH/ Kryeministri, Edi Rama ka shpërndarë një video sensibilizuese nga personalitete të fushave të ndryshme mbi masat parandaluese dhe kujdesin që duhet të tregojmë për COVID-19.

Rama thekson se, nuk duhet patur frikë, por duhet thjesht kujdes dhe të ndiqen këshillat e domosdoshme.

“Mesazh, për ty, për familjen, për njëri-tjetrin, për shëndetin mbi të gjitha. Frikë jo, kujdes po”, shprehet Rama.

Gjithashtu Kryeministri ka listuar dhe këshillat kryesore që duhet të ndiqen dhe ka theksuar se duhet të mbrohemi me maskën e arsyes nga infodemia dhe t’u referohemi vetëm informacioneve zyrtare.

“Të ruajmë veten dhe njëri-tjetrin duke kufizuar sa më shumë kontaktet fizike! Të lajmë duart sa më shpesh për jo më pak se 20 sekonda! Të kufizojmë daljet dhe uljet nëpër kafene e restorante, vajtjet në palestra, disko e në mjedise të mbyllura me kontakte të shumta! Të mbrohemi me maskën e arsyes nga INFODEMIA – lajmet, kronikat, komentet, debatet që krijojnë konfuzion, pasiguri, shkurajim! Të ndjekim me rigorozitet këshillat e autoriteteve shëndetësore dhe t’u referohemi informacioneve zyrtare”, thekson Rama.

Në videomesazhin sensibilizues personalitete të fushave të ndryshme japin këshillat bazë për të parandaluar infektimin nga ky virus.

Mjeku Flamur Topi i cilëson këto këshilla si bazë për të shmangur infektimin nga COVID-19.

Personalitete të ndryshme si, Gerta Heta, Dhimitër Gjoka, Lutfi Dervishi listuan disa këshilla si:

Mbani distancë nga njerëzit të cilët kolliten apo teshtijnë.

Kur kolliteni apo teshtini përdorni bërrylin dhe jo duart tuaja.

Kur kolliteni apo teshtini mbuloni hundën dhe gojën me pecetë dhe pastaj hidheni atë menjëherë në një kosh të mbyllur.

Dezinfektoni herë pas here sipërfaqet dhe objektet që prekni me dorë.

Lexoni çdo informacion zyrtar që mundeni lidhur me COVID-19.

Shmangni prekjen e syve, hundës dhe gojës. Shmangni prekjen e fytyrës dhe lani duart sa më shpesh. Fërkojini ato për të paktën 20 sekonda me ujë të ngrohtë dhe sapun.

Nëse jeni të sëmurë qëndroni në shtëpi për të ndaluar përhapjen e sëmundjes dhe për t’u shëruar dhe prisni të merrni kujdesin mjekësor të nevojshëm.

Në fund të videos sensibilizuese mjeku Flamur Topi apeloi ndjekjen e këtyre këshillave.

“Ndiqni këto këshilla për veten dhe familjen tuaj, mbi gjithçka shëndeti”, tha Topi.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.