Manastirliu: Aktualisht janë 43 raste të dyshuara, për të cilat po priten analizat

TIRANË, 10 mars /ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi sot se aktualisht janë 43 raste të dyshuara për të cilat po priten analizat.

“Aktualisht kemi një total testesh të realizuar, 114 testime të kryera, 10 kanë rezultuar pozitive. Në proces kemi 43 analiza apo testime, që besoj përfundojnë shumë shpejt dhe po vijon marrja e mostrave në personat e kontaktit dhe duke vijuar investigime të mëtejshme, për të mundësuar frenimin e virusit”, deklaroi Ministrja e Shëndetësisë, në një intervistë televizive.

Sa i përket dy rasteve me koronavirus, Manastirliu theksoi se po ndiqet një procedurë e standardizuar me OBSH.

“Ka një hartë, quhet hetim epidemiologjik. Ecim në bazë të protokolleve standarde. Krijohet harta e kontakteve. Së pari, hetohen kontaktet e para, të ngushta dhe më pas hapen rrathët e kontakteve të tyre duke hulumtuar, investiguar, duke këshilluar apo duke marrë direkt analizat në raste kur kanë shenja”.

“Ne i kemi këshilluar dhe tashmë vetëkarantina është e detyruar për të gjithë ata që kanë pasur kontakte apo lidhje me persona të cilët janë të konfirmuar. Është rregull për të gjithë. Apel për të gjithë ata që janë informuar nga strukturat për vetëkarantinim duhet ta zbatojnë këtë rregull dhe të ndjekin të vetmen rrugë që ekziston, numri 127 i Urgjencës Kombëtare”, deklaroi Manastirliu.

Manastirliu u shpreh se “do ta themi shumë shpejt nëse jemi në momentin e një transmetimi komunitar”.

“Në mbikëqyrje të mjekëve janë 3 pacientë. Kemi një paciente, 74-vjeçare që është në kushtet e izolimit në Durrës, në sistem respirator. Zonja ka histori udhëtimi, ka dhe sëmundje të tjera. 74-vjeçarja ka dhe sëmundje kronike dhe është potencialisht e rrezikuar. Do vlerësohet nëse do të trajtohet me izolim në spitalin e Durrësit, apo do transportohet me një autoambulancë tek Infektivi”, tha Manastirliu.

Manastirliu tha se, “ne mund të shkojmë në disa qindra raste, por nuk ka një përllogaritje, sigurisht brenda një kohe të caktuar. Këto janë në bazë të algoritmeve që i kanë kryer dhe vende të tjera. Ka disa skenarë. Ne jemi në skenarin 1, 2, 3, 4. Kemi identifikuar pacientin zero, kemi nisur me investigimin epidemiologjik. Më pas vijojmë me evidentimin e rasteve të reja.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.