HOLANDË – Rusia nën akuza për pengim të hetimit mbi rrëzimin e avionit MH17

AMSTERDAM, 10 mars /ATSH-DPA/- Prokurorët holandezë ngritën sot akuza serioze kundër Rusisë gjatë ditës së dytë të gjykimit në mungesë të të dyshuarve të akuzuar për rrëzimin e avionit të pasagjerëve MH17 mbi Ukrainën Lindore në vitin 2014.

“Zyrtarët holandezë kanë parë prova që qeveria ruse është përpjekur të parandalojë një hetim se kush e rrëzoi aeroplanin malajzian të pasagjerëve”, tha prokurori Thijs Berger para një gjykate në afërsi të aeroportit Schiphol të Amsterdamit.

“Fushata cinike dezinformuese mbi fatin e avionit MH17, e cila po zhvillohet prej më shumë se pesë vitesh, është një barrë e madhe për shumë të afërm të viktimave”, u shpreh prokurorja Dedy Woei-a-Tsoi, duke shtuar se qeveria ruse nuk mbajti kurrë një qëndrim përfundimtar për ngjarjet e 17 korrikut 2014.

Akuzat u ngritën në ditën e dytë të gjykimit të tre rusëve dhe një ukrainasi, të akuzuar për vrasjen e 298 personave në bordin e Boeing 777, kur ky u rrëzua gjashtë vjet më parë.

Shumica e viktimave ishin holandezë./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.