Basha: Maska të skaduara për stafet mjekësore, prokuroria të hetojë

TIRANË, 10 mars /ATSH – I. Vata/- Kryetari i PD-së Lulzim Basha, pas rritjes se rasteve me koronavirus ju ka bërë thirrje qytetarëve se nuk është koha për panik, por për kujdes.

Në deklaratën e tij për mediet, Basha tha se “rastet e bashkëqytetarëve të infektuar po rritet. Nuk është koha për panik, është koha për kujdes. Nëse vihemi në panik nuk do të mundohemi të kujdesemi as për veten as për familjarët, as për të moshuarit. Rastet botërore tregojnë se ky virus  mund të luftohet duke ndjekur udhëzimet. Mburoja e vetme kundër këtij virusi janë shërbimet shëndetësore të cilat po punojnë në kushte të vështira”.

Basha shprehi shqetësimin që solli sot Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi në lidhje me maska e skaduara.

“Sot dua të shpreh një shqetësim që prek shërbimet shëndetësore. Më parë sekretari i përgjithshëm i PD në teren tregoi se ka maska të skaduara dhe ka një pullë të mbivendosur dhe se data e saktë e skadencës është 2011. Është kriminale dhe ftoj prokurorinë të nisë hetimet”, tha ai.

Po ashtu Basha apeloi për kujdes përsa i përket higjienës për banorët e dëmtuarve nga tërmeti.

“Një nga faktorët kryesor për të parandaluar përhapjen është higjiena personale. Qeveria ka harruar mijëra qytetarë që u dëmtuan nga tërmeti që jetojnë në kushte të vështira dhe me mungesa të theksuara. Ju bëj thirrje mjekëve specialistë të bëjnë kërkesat e tyre për mjetet që ju mungojnë se nesër mund të jetë shumë vonë.  Nuk do keni asnjë fije dyshimi që Shqipëria ka personel shëndetësor të shkëlqyer dhe të aftë. Detyra e qeverisë është të sigurojë kushtet dhe jo të bëjë shfaqjet apo propaganda”, tha ai.

Gjithashtu Basha tha se “Qeveria duhet të ketë një plan të saktë dhe të qartë të karantinës. Fondi për karantinën ka ardhur vetëm një ditë më parë”.

“Grupi i punës pranë PD po vazhdon të monitorojë situatën për masat e marra sikundër po i përgjigjet pyetjeve dhe interesit të shqiptarëve që janë të shqetësuar”, tha Basha.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.