Vetëkarantinim për një periudhë 14 ditore për ata që vijnë nga zona e kuqe e Italisë

TIRANE, 9 mars/ATSH/- Kryeministri Edi Rama tha se duhet të vetëkarantinohen të gjithë ata që vijnë nga zonat e kuqe për një periudhë 14 ditore.

“Tjetër element i rëndësishëm për t’u marrë në konsideratë është vetëkarantinimi i personave që vijnë nga zona me shpërthim të virusit në nivel kombëtar, të cilat monitorohen me rigorozit të skajshëm nga strukturat shëndetësore. Vetëkarantinimi është një instrument që gjendet edhe po ashtu shoqërohet me masë administrative për thyerjen e këtij rregulli. Të jemi realist se për sa i takon vendit tonë e rëndësishme është që çdo individ ka një rol në këtë përmbajtje dhe se për të ruajtur veten dhe të tjerët me rëndësi themelore është ndjekja e procedurës së vetëkarantinimit nëse vjen nga një zonë e kuqe, konkretisht kemi si pike referimi veriun e Italisë”, shtoi kryeministri.

Kryeministri informoi se janë gati dhe funksionale të gjitha mjediset e izolimit dhe është punuar e po punohet për të patur të gjithë stokun e materialeve mbrojtëse personale.
Nga ana tjetër Rama apeloi qytetarët që kanë familjarë të hospitalizuar pranë QSUT-së të kufizojnë maksimalisht vizitat dhe të lehtësojnë kështu punën e personelit.
Kryeministri apeloi median për raportime të përgjegjshme dhe vetëm me me burime të certifikuara shkencore.

“I bëj thirrje medias, pasi është një përgjegjësi e madhe e jashtëzakonshme për shëndetin dhe për mbarëvajtjen e këtij procesi jo të lehtë përballjeje që mediet të vet përmbahen dhe të kenë vetëdijen se në këtë situatë, armiku më kërcënues nuk është koronavirusi, por paniku që stimulohet nga lajme të rreme e ekzagjerime të paarsyeshme nga burime e komente të pa certifikuara, jo profesionale, jo shkencore. Ndaj besoj se në këtë moment duhet të jemi aleat që shkon përtej dallimeve tona gjatë ditëve të normalitetit”, u shpreh kreu i qeverisë.

Duke apeluar qytetarët që të mos kenë panik, Rama tha se faktet që burojnë nga analiza dinamike në nivel global, bazuar në shifra konkrete, tregojnë se të prekurit e popullsisë së përgjithshme, atyre që kalojnë në fazën e një përballjeje të posaçme me virusin dhe rasteve të humbje së jetës flasin me shumë se çdo gjë. Kjo nuk është mortaja e mesjetës”, tha ai.

Kryeministri apeloi gjithashtu për ndjekjen me rigorozitet të masave të parandalimit të përhapjes së virusit nga ana e qytetarit.

“U takon strukturave të angazhuara të udhëheqin këtë proces dhe ne jemi të vetëdijshëm se që secili nga ne duhet të bëjë edhe pjesën e vet. Janë disa këshilla të thjeshta që duhen ndjekur që nga shmangia e kontakteve tek dezinfektimi i duarve, tek vetëkarantinimi në rast se vjen nga një zonë që është prekur dhe tek vendosja e një filtri individual në raport me informacionin”, tha kryeministri./a.gjonaj/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.