SPAK mbyll hetimet për ish-kryeprokurorin Llalla, nën akuzë për fshehje ose deklarim i rremë i pasurive

TIRANË, 9 mars/ATSH-Arbi Fortuzi/- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë ka përfunduar hetimet paraprake për procedimin penal Nr.65, viti 2019, në ngarkim të shtetasit Adriatik Llalla, me funksion ish – Prokuror i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë.

Sipas njoftimit të SPAK, “në përfundim të hetimeve paraprake, pasi janë kryer të gjitha veprimet e mundshme dhe të nevojshme hetimore, pasi janë vlerësuar të gjitha provat e administruara gjatë hetimeve, shtetasi Adriatik Llalla është marrë i pandehur dhe i është njoftuar akuza për kryerjen e veprës penale: “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të kryer tre herë, të parashikuar nga neni 257/a, paragrafi (2) i Kodit Penal”.

“Aktualisht nga Prokuroria e Posaçme janë duke u kryer veprimet administrative për dërgimin e akteve të procedimit penal Nr.65/2019, për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë”,- përfundon njoftimi.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.