Rama publikon statistikat e të prekurve në botë nga koronavirusi: Të mos i hapim asnjë shteg panikut që nxit infodemia

TIRANË, 9 mars /ATSH/ – Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot një statistikë zyrtare e cila ka theksuar ai, “na ndihmon ta kuptojmë objektivisht situatën përtej bombardimit infodemik, non stop ditë e natë nëpër media dhe internet”

“Ja sa janë deri më sot të prekurit nga koronavirusi për 1 milion banorë në disa vende të botës:

në Kinë 56 persona të prekur për çdo 1 milion banorë

në Itali 122 persona të prekur për çdo 1 milion banorë

në Francë 18 persona të prekur për çdo 1 milion banorë

në Gjermani 13 persona të prekur për çdo 1 milion banorë

në SHBA 2 persona të prekur për çdo 1 milion banorë”, është shprehur Rama

“Siç e shihni proporcionet reale me të prekurve nga koronavirusi dhe popullsisë së përgjithshme, janë tejet më pak alarmuese se sa perceptimi i krijuar nga bombardimi mediatik i pandërprerë! Kjo duhet mbajtur parasysh, në asnjë mënyrë jo për të neglizhuar kërcënimin e këtij virusi të panjohur, po për të ruajtur ekuilibrin tonë psikologjik dhe për të mos i hapur asnjë shteg panikut që nxit infodemia (epidemia e informacionit të çekuilibruar). E cila, sipas vetë Organizatës Botërore të Shëndetësisë është edhe më i rrezikshëm se sa vetë koronavirusi”, ka nënvizuar Kryeministri Rama.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.