Rama: Mbyllja e kufijve nuk këshillohet nga OBSH, vetëm kufizime të pjesshme

TIRANË, 9 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, deklaroi sot se mbyllja e kufijve nuk këshillohet as nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, as nga eksperienca e shteteve që po përballen me koronavirusin.

Sipas Kryeministrit Rama, të gjithë përfshirë edhe vetë Italinë bëjnë vetëm kufizime të pjesshme të linjave të transportit, për shkaqe të mirë përcaktuara në protokollin bazë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

“Të gjithë janë të lutur të ndjekin burimet zyrtare dhe të mos rrëmbehen nga emocionet negative që shkaktohen nga dizinformimi, pasiguria dhe paniku, i cili është këshilltari më i keq i mundshëm në këtë situatë të pazakonshme”, deklaroi Rama.

Kryeministri thekson se nuk ka vend për panik.

“Statistikat zyrtare dhe projeksionet e OBSH-së flasin qartë për një situate delikate, por kurrsesi të pamundur, ku ruajtja e qetësisë është kyç për ta zhvilluar hap pas hapi përballjen me këtë virus. Me angazhim të plotë, besim dhe qetësi do ta kalojmë së bashku këtë sfidë, pa asnjë diskutim”, u shpreh Kryeministri./a.gjonaj/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.