Koronavirusi/ Qeveria miraton shtesë fondi prej 400 milionë lekësh për Ministrinë e Shëndetësisë

TIRANË, 9 mars/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot një shtesë fondi prej 400 milionë lekësh në buxhetin e vitit 2020, miratuar për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për marrjen e masave për plotësimin e nevojave paraprake për infeksionin e shkaktuar nga COVID-19.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në buxhetin e miratuar për vitin 2020, në programin “Planifikim, Menaxhim dhe Administrimi”, iu shtua fondi prej 400 milionë lekësh për marrjen e masave për plotësimin e nevojave paraprake për infeksionin e shkaktuar nga COVID-19.

Sipas këtij vendimi, fondi do të ndahet 200 milionë lekë në kategorinë e shpenzimeve kapitale dhe 200 milionë lekë në kategorinë e shpenzimeve korrente.

Efekti financiar, prej 400 milionë lekësh do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2020.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.