ISHP: Vetëkarantinim, për personat e ekspozuar ndaj individëve të dyshuar për COVID-19

TIRANË, 9 mars/ATSH/ Instituti i Shëndetit Publik shpërndau sot një informacion të detajuar mbi masat që duhet të marrin për vetëkarantinim, personat që mund të kenë qenë të ekspozuar ndaj individëve të dyshuar për COVID-19.

Sipas ISHP-së, këta persona këshillohen që të vetëkarantinohen dhe të monitorojnë shëndetin e tyre për 14 ditë, që nga dita e fundit me kontaktin e mundshëm, dhe të kërkojnë mbikëqyrje të menjëhershme mjekësore nëse paraqesin ndonjë nga simptomat, veçanërisht temperaturë, simptoma respiratore si kollë dhe vështirësi në frymëmarrje apo diarre.

Përgjatë periudhës së vetëkarantinës duhet të vendoset një linjë komunikimi me një punonjës të kujdesit shëndetësor, si dhe të shëndetit publik në NJVKSH-të përkatëse.

Personeli i kujdesit shëndetësor duhet të përfshihet në rivlerësimin e gjendjes shëndetësore së kontakteve të tyre nëpërmjet telefonit, dhe në mënyrë ideale, nëse është e mundur, me vizita ballë për ballë dhe të rregullta (p.sh. përditë), duke kryer teste specifike diagnostikuese sipas nevojave, si dhe kryhet vetëkarantina duke u mbështetur nga NJVKSH-të.

Punonjësi i kujdesit shëndetësor apo NJVKSH-ja duhet të japë paraprakisht udhëzime se ku duhet kërkuar kujdesi shëndetësor kur një kontakt sëmuret. Cila duhet të jetë mënyra më e përshtatshme e transportimit, kur, dhe në cilën qendër shëndetësore duhet shkuar, dhe cilat masa kontrolli parandaluese duhen ndjekur.

Për çdo problem që mund të kenë qytetarët duhet të lajmërojnë numrin 127 dhe qendrën e caktuar shëndetësore për kontaktin simptomatik që do të shkojë në qendrën e tyre.

Ndërsa udhëton për të kërkuar kujdesin shëndetësor, personi i sëmurë duhet të mbajë maskën mjekësore.

Duhet të shmanget transporti publik për të shkuar në qendrën shëndetësore. Nëse është e mundur duhet të thërritet një ambulancë apo mjet transporti për personin e sëmurë, dhe të hapen dritaret nëse është e mundur.

Kontakti i sëmurë duhet të këshillohet që të zbatojë gjithmonë higjienën respiratore dhe atë të duarve, të qëndrojë sa më larg të tjerëve (të paktën 1 m) kur është në lëvizje, dhe kur ndodhet në qendrën shëndetësore.

Higjiena e përshtatshme e duarve duhet të zbatohet nga kontaktet e sëmura dhe personat që kujdesen për ta.

Çdo sipërfaqe që ndotet më sekrecione respiratore apo lëngje trupore gjatë transportit, duhet pastruar dhe dezinfektuar me dezifektantë të zakonshëm të shtëpisë që përmbajnë një solucion me ujë të oksigjenuar të holluar 6 (1 pjesë ujë i oksigjenuar dhe 99 pjesë ujë).
Gjithashtu, masat e përshkruara për rastet e dyshuara zbatohen edhe në rastet e vetëkarantinimit të kontakteve./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.