INSTAT: Indeksi i çmimeve të konsumit në muajin shkurt 2020 ishte 1,2 %

TIRANË, 9 mars /ATSH/ Indeksi i Çmimeve të Konsumit, që është treguesi i inflacionit, në muajin shkurt 2020 ishte 1,2 %, njofton Instituti i Statistikave (INSTAT). Një vit më parë ky ndryshim ishte 1,7 %. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin shkurt 2020, krahasuar me janar 2020, është 0,4 %.

Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të indeksit të çmimeve të konsumit

Sipas INSTAT rritja vjetore e çmimeve në muajin shkurt është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,72 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,30 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Transporti” kanë kontribuar me +0,08 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” kanë kontribuar me +0,06 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” kanë kontribuar me +0,04 pikë. Çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar me +0,03 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar me +0,02 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Shërbimi arsimor” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me +0,01 pikë përqindje secili. Çmimet e grupeve “Veshje dhe këpucë” dhe “Shëndeti” kanë kontribuar me -0,02 pikë përqindje secili. Çmimet e grupit “Komunikimi” kanë kontribuar me -0,01 pikë përqindje.

Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore

Krahasuar me muajin shkurt 2019, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë” me 2,4 %, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,9 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,4 %, “Transporti” me 1,2 %, “Mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,8 % secili, “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,7 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,3 % dhe “Shërbimi arsimor” me 0,2 %. Nga ana tjetër çmimet e grupeve “Veshje dhe këpucë” dhe “Shëndeti” u ulën me 0,7 % secili, pasuar nga “Komunikimi” me 0,3 %. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 19,3 %, pasuar nga nëngrupet “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 2,7 %, “peshk” me 2,3 %, “mish” me 1,3 %. Çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u ulën me 3,5 %.

Ndryshimet mujore të grupeve kryesore

Krahasuar me muajin janar 2020, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u rritën me 1,0 %, pasuar nga grupet “Argëtim dhe kulturë” me 0,6 %, “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,1 % secili. Nga ana tjetër çmimet e grupeve “Veshje dhe këpucë” dhe “Transporti” u ulën me 0,2 % secili, pasuar nga grupi “Shëndeti” me 0,1 %, njofton INSTAT.

Indeksi i Çmimeve të Konsumit (IÇK) është matësi zyrtar i inflacionit në Shqipëri. Ai mat ndryshimet relative të çmimeve të mallrave dhe shërbimeve të përdorura nga familjet për konsum vetjak dhe llogaritet duke përdorur strukturën e konsumit final të familjeve shqiptare.

Objektivi i Bankës së Shqipërisë për inflacionin është 3%.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.