COVID-19/ Voda për ATSH: Policia ka marrë të gjitha masat sipas rregullores ndërkombëtare të shëndetësisë, janë trajnuar punonjësit

TIRANË, 9 mars/ATSH-Arbi Fortuzi/ Policia ka marrë të gjitha masat sipas rregullores ndërkombëtare të shëndetësisë në kuadër të masave të ndërmarra në situatën e krijuar nga CoV “Corona Virus”.

Zv/ministrja e Brendshme, Rovena Voda, e kontaktuar nga Agjencia Telegrafike Shqiptare ka sqaruar se, në ndjekje të zbatimit të Rregullores Ndërkombëtare të Shëndetësisë dhe urdhrit të Ministres së Shëndetësisë, janë marrë masa në të gjitha pikat kufitare. Sipas saj, janë trajnuar të gjithë punonjësit e policisë që janë angazhuar në marrjen e masave parandaluese.

“Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit nisur nga situata e krijuar, në zbatim të Rregullores Ndërkombëtare të Shëndetësisë, urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë Nr. 423/6, datë 31.01.2020, me lëndë: “Kërkesë për marrje masash, për caktimin e ambienteve për karantinë”, u vendos për bashkërendimin e masave për kontrollin e pasagjerëve që mund të vinin nga zonat e rrezikuara me CoV “Corona Virus”, në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligjzbatuese”, – tha Voda.

“Duke patur parasysh nevojën e menjëhershme për parandalimin dhe mbrojtjen e popullsisë nga rreziku i përhapjes të sëmundjes, si dhe ruajtjen e sigurisë publike nëpërmjet masave që duhet të merren për strehimin dhe ekzaminimin e shtetasve të ardhur nga zonat e prekura me CoV “Corona Virus”, nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave si institucion përgjegjës dhe administrator i objekteve të Pikave të Kalimit Kufitar, në koordinim të përbashkët me Departamentin për Kufirin dhe Migracionin dhe Institucionet Shëndetësore Rajonale, bëjmë me dije se në të gjitha Pikat e Kalimit Kufitar janë përcaktuar ambientet e kërkuara për këtë qëllim, ku dhe është prezent shërbimi mjekësor”, – bën të ditur Voda për ATSH.

“Instituti i Shëndetit Publik,në zbatim të shkresës Nr. 125, datë 23.01.2020, të Ministrisë së Shëndetësisë, me lëndë: “Informacion në lidhje me udhëtimet në Kinë, për të parandaluar futjen në vend të CoV “Corona Virus”, të shfaqur në Kinë”, në bashkëpunim me policinë kufitare kanë shpërndarë informacionin e nevojshëm në lidhje me këtë sëmundje për gjithë personelin, si dhe për mënyrën e intervistimit nga rojat kufitare”, – sqaron Voda.

“Në bashkëpunim me ISHP janë marrë masat në gjashtë drejtime. Së pari, janë vendosur në të gjitha kabinat formularët për intervistimin, për të gjithë shtetasit që kanë vizituar Republikën Popullore të Kinës dhe paraqiten në hyrje të Republikës së Shqipërisë. Pyetja që u bëhet pasagjerëve është: Nga është vendi i origjinës së udhëtimit tuaj? Keni udhëtuar 2 javët e fundit nga Republika Popullore e Kinës?

Së dyti, në të gjitha pikat e kalimit kufitar, pasagjerët që udhëtojnë nga zonat aziatike, merren në intervistë nga shërbimi shëndetësor i dislokuar, në lidhje me shenjat që mund të kenë shfaqur gjatë udhëtimit. Së treti, në ambientet e brendshme të Stacioneve të Policisë Kufitare, janë vendosur posterat informues në gjuhën angleze dhe shqipe, në lidhje me masat që duhet të marrin për t’u mbrojtur nga ky virus dhe shenjat e prekjes nga kjo sëmundje.

Së katërti, “krijimi i dhomës karantinë, nëse konstatohet ndonjë rast i prekjes me CoV “Corona Virus”. Së pesti, janë vendosur dezinfektues duarsh në të gjitha kabinat. Së gjashti, punonjësit që janë në kontakt të drejtpërdrejtë me pasagjerët në hyrje apo dalje, janë pajisur me doreza plastike dhe maska mbrojtëse”, – theksoi Voda.

“Në zbatim të orientimeve të ardhura,me qëllim parandalimin e sëmundjes së shkaktuar nga CoV “Corona Virus”, nga strukturat e Departamentit për Kufirin dhe Migracionit janë trajnuar të gjithë efektivat e policisë kufitare, ku dhe është bërë pjesë e instruktazhit të përditshëm të shërbimit. Për rastet që janë konstatuar shtetas nga vendet aziatike, është bashkëpunuar me shërbimin shëndetësor të akomoduar pranë Pikave të Kalimit Kufitar”, – vijoi Voda.

Voda tha se me situatën e krijuar ditët e fundit në Itali nga koronavirusi, veçanërisht në pikën kufitare Aeroporti Rinas dhe në pikën e kalimit kufitar, Porti Durrës, është rritur kontrolli nga ana e shërbimit të kontrollit mjekësor në kufi.

“Në Pikën kufitare, Aeroporti Rinas, me kërkesë të shërbimit shëndetësor janë krijuar në“Hyrje” tre korridore, me mjete kufizuese, përballë kabinave të kontrollit kufitar dhe të gjithë pasagjerët kontrollohen nga punonjësit e shërbimit mjekësor me anë të termometrave me lazer, për prezencën e temperaturës”,- theksoi Voda.

“Gjithashtu, kontrollorët vazhdojnë intervistimin e të gjithë pasagjerëve duke i pyetur për origjinën e fluturimit (Kina), të cilët nëse përgjigjen pozitivisht kalojnë menjëherë për kontroll tek punonjësit e shërbimit mjekësor. Në bashkëpunim me drejtuesit e aeroportit, janë pajisur të gjitha postet e punës në Hyrje-Dalje me solucione antibakteriale, për të mbrojtur punonjësit e policisë kufitare nga transmetimi i virusit”, – bën të ditur Voda.

Në lidhje me konfirmimin nga Ministria e Shëndetësisë mbi 2 rastet e para prekura nga virusi, sipas Vodës, i prekuri ka udhëtuar nga Muriqani. “Më date 26.02.2020, ora 00:40 ka hyrë në Republikën e Shqipërisë nëpërmjet P.K.K Muriqan shtetasi shqiptar (për arsye konfidencialiteti nuk bëhet me dije emri) i cili ka udhëtuar i vetëm me automjetin e tij. Procedurat e regjistrimit në hyrje për këtë shtetas janë kryer nga punonjësi i policisë së pikës kufitare. Në lidhje me rastin janë marrë disa masa: Është njoftuar punonjësi i policisë, të paraqitet për të kryer analizat. Janë njoftuar të gjithë punonjësit e policisë që kanë qenë me shërbim në pikën kufitare Muriqan, date 26.02.2020, të paraqiten për të bërë analizat dhe po bashkëpunohet me organet e shëndetësisë për të bërë dezinfektimin e ambienteve në Muriqan”, – sqaron Voda.

“Nga ana e strukturave të Policisë së Shtetit dhe veçanërisht të Policisë Kufitare, në të gjitha pikat e kalimit kufitar po ndiqet me prioritet kjo situatë, duke rritur bashkëpunimin me agjencitë e tjera ligjzbatuese dhe për çdo problematikë të shfaqur do të bëhet menjëherë informimi i strukturave përkatëse”, – nënvizon zv/ministrja Voda për ATSH.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.