Reshjet e dëborës dhe shiut / ARRSH: Në të gjitha akset qarkullimi i mjeteve vijon normalisht

TIRANË, 8 mars/ATSH-Arbi Fortuzi/-Autoriteti Rrugor Shqiptar përmes një njoftimit, informon përdoruesit e rrugës mbi situatën e akseve rrugore në vend, pasi gjatë natës ka patur reshje bore dhe reshje me intensitet të lartë shiu në veri dhe jug të vendit.

“Reshje bore ka pasur në Qafë Mali-Fierzë, Bajram Curri-Valbonë, Pukë-Fushë-Arrës-Shemri, Fushë Arrës-Q.Mali, pjesët fundore të akseve U. Cerenecit- Steblevë, dhe Kuben-Vasije. Qarkullimi vazhdon normalisht, pa zinxhirë, në të gjithë rajonin e veriut”, njofton ARRSH.

“Në segmentin Fushë Studë-Steblevë ka rreth 5-7 cm dëborë, por nuk ka probleme me qarkullimin. Për shkak të reshjeve të dendura të shiut ka pasur rënie gurësh dhe rënie dherash në akset rrugore: Në aksin Berat-Çorovodë, që ka sjellë vështirësi në qarkullim për disa minuta, aktualisht rruga është pastruar dhe qarkullimi kryhet pa probleme.
Drejtuesit e mjeteve duhet të tregohen të kujdesshëm pasi mund të ketë përsëri rënie gurësh për shkak të reshjeve”,- bëhet me dije nga ARRSH.

“Në km 12 të aksit Maliq-Lozhanë pati rënie të një masivi dherash dhe pemësh, të cilën kontraktorët e mirëmbajtjes e pastruan dhe tani qarkullimi vazhdon normalisht.
Në aksin Çorovodë-Hambull pati rënie gurësh, u pastruan nga kontraktori qarkullimi vazhdon normalisht”,- vijon njoftimi.

“Në aksin Këlcyrë-Përmet pati dalje të disa përrenjve anësorë duke sjellë në rrugë dhera dhe gurë, aksi u pastrua nga kontraktori, qarkullimi vazhdon normalisht. Drejtuesit e mjeteve duhet të tregohen të kujdesshëm për shkak të lagështisë në rrugë, të reduktojnë shpejtësinë dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore”,- përfundon njoftimi.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.