Kote për ATSH-në: Rrisim në 260 mijë ha, sipërfaqen e tokës në ujë me investimet e nevojshme

 

TIRANË, 8 mars /ATSH/-Qeveria ka rritur buxhetin 2020 për bujqësinë, ku peshën më të madhe e zënë investimet në sistemin e ujitjes dhe kullimit, me impakt rritjen në 76% të numrit të fermerëve që përfitojnë nga infrastruktura ujitëse kundrejt 70,3% që shënoi në vitin 2019 ky tregues.

Zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Dhimitër Kote, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) tha se, “në 2020 mbështetja e qeverisës shqiptare për sektorin e ujitjes dhe kullimit në bujqësi, vijon të jetë prioritet, pavarësisht vështirësive që kaloi vendi nga tërmeti i 26 nëntorit”.

“Me porosi të veçantë nga Kryeministri Edi Rama, ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ka ruajtur nivelet më të larta të mbështetjes financiare për ujitjen dhe kullimin”- deklaroi Kote.

“Ne mendojmë vijoi zv.ministri i Bujqësisë që, për vitin 2020, të arrijmë deri në 260 mijë ha sipërfaqen e tokës bujqësore në ujë, ku do të ndërtojmë të gjitha kanalet ujitëse, kulluese dhe sistemet bashkëkohore të vaditjes, kundrejt 240 mijë ha në ujë që kemi aktualisht”.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, bën të ditur se në fushën e “Infrastrukturës së Ujitjes dhe Kullimit”, për vitin që vjen synohet të realizohen investime të rëndësishme për rritjen në 72% të sipërfaqes ujitëse ku fermerët kanë akses për ujë për ujitje, kundrejt sipërfaqes potencialisht të ujitshme (360 000 ha) nga 66,6% që është në vitin 2019.

Gjithashtu investimet do të rrisin numrin e hidrovoreve të rehabilituara, ndërtuara, rikonstruktuara, kundrejt totalit të nevojshëm (14 hidrovorë) nga 21,4% në vitin 2019, në 36% në vitin 2020.

Ndërsa mirëmbajtja vjetore e rrjetit kullues do të arrijë në 45 000 hektarë tokë.

Investime janë parashikuar edhe në vepra të mbrojtjes nga përmbytjet si (argjinatura gjatësore dhe penele tërthorë), kundrejt totalit të nevojshëm (300 km) nga 12% në vitin 2019, në 28% në vitin 2020. e.xh/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.