FOTO/Vlora dhe Bocholt, një model bashkëpunimi e miqësie mes Shqipërisë e Gjermanisë

Vlorë, 7 mars/ATSH-Harilla Koçi/.-Bashkia e Vlorës dhe ajo e Bocholt (Gjermani), nisën procedurat e binjakëzimit, që pritet të konkretizohet shumë shpejt me marrëveshje afatgjata në disa fusha, mes të cilave në art, kulturë, në arsimin profesional, në turizëm, në biznes, në rrafshin e rinisë etj.

Gjatë një vizite dy ditore, që zhvilloi në qytetin e Vlorës një delegacion nga Bashkia Bocholt, u diskutuan fushat përkatëse dhe mundësitë, si edhe detajet e procedurat e bashkëpunimit.

Në këto takime, u shpreh optimizmi për bashkëpunimin afatgjatë dhe me rezultate konkrete në fushat respektive, ndërkohë që u theksua ideja për ta shndërruar këtë binjakëzim, në një model të miqësisë mes Shqipërisë e Gjermanisë. Kjo nënkupton faktin që, shumë shpejt dy grupe të rinjsh nga kultura dhe arsimi profesional, do të zhvillojnë vizita në qytetin Bocholt, ndërkohë që, një vizitë e tillë do të realizohet gjatë javëve në vijim edhe nga një delegacion i zgjeruar i bashkisë së Vlorës, në përbërje të të cilit do të jenë pjesëtarë të administratës, të komunitetit të biznesit, gazetarë etj.

Duke prezantuar qytetin për miqtë nga Gjermani, kryebashkiaku Dritan Leli tha se, Vlora është një nga destinacionet turistike më të preferuara në Shqipëri, me resurse të shumta natyrore dhe strukturë e infrastrukturë që po modernizohet në vijimësi. Ky fakt, sipas Lelit, nxit optimizmin për perspektivën e këtij sektori që përputhet me profilin e qytetit dhe të të gjithë bashkisë. Ai renditi investimet e shumta që janë kryer gjatë viteve të fundit, ndërkohë që evidentoi edhe treguesit në rritje në sektorin e turizmit.

“Në takimet që zhvilluam me një delegacion të zgjeruar të kësaj bashkie, të kryesuar nga zëvendëskryetari, Reiner Bones, diskutuam për fushat prioritare të bashkëpunimit, për detajet dhe rrugët që do të ndjekim për përmbylljen sa më shpejt të këtij procesi, në mënyrë që Vlora dhe Bocholt, të shndërrohen në referencë, argument dhe simbol të miqësisë mes dy popujve e vendeve tona”, theksoi kryebashkiaku Dritan Leli.

Sipas tij, Shqipëria sheh tek Gjermania avokaten e madhe të çështjes së integrimit në BE, ëndrra e madhe e të gjithë shqiptarëve, kudo ku ata jetojnë e punojnë. Sheh modelin e demokracisë dhe të zhvillimit në të gjitha nivelet. “Prandaj dhe binjakëzimi me qytetin Bocholt, është mënyra për ta reflektuar e konkretizuar këtë aspiratë, për ta bërë atë të prekshme e nxitëse”, theksoi më tej Leli.

Ai tha se, ky bashkëpunim ka nisur kohë më parë, me projektet e financuar nga Banka Gjermane për Zhvillim në Vlorë, me kontaktet respektive. “Sot, ndërtuam një bazë të re të institucionalizuar me dëshirën dhe vendosmërinë e ndërsjelltë për të ndërtuar një urë më shumë komunikimi mes dy vendeve ku Vlora dhe Bocholt do të kenë respektivisht vendin dhe rolin e tyre”, citoi ai.

Në prezantimin e tij, Leli solli argumentin se, ky proces intensiv, që tashmë ka nisur, ka në themel mbështetjen e Qeverisë Gjermane për aspiratën tonë për t’ju bashkuar familjes Evropiane.

Ai tha se, ky ishte vetëm hapi i pare. Së shpejti shfletohen faqet e tjera të një bashkëpunimi që do të vijojë gjatë, ku, resurset respektive dhe ndjenjat e miqësisë reciproke, përbëjnë potencialet më të vyera.

Leli falenderoi pjesëtarët e delegacionit gjerman të kryesuar nga nënkryetari i bashkisë së qytetit Bocholt, Reiner Bones, ndërkohë që përcolli përshëndetjet edhe për kryetarin e kësaj bashkie, që nuk mundi të vinte në Vlorë për arsye objektive.

Nga ana e tij, pjesëtarët e delegacionit gjerman shprehën vlerësime për Vlorën, për bukurinë dhe pozicionin gjeografik. “Përpara se të udhëtojnë për qëllime pushimi, gjermanët i bëjnë vetes tre pyetje. Së pari, a do të udhëtojnë, së dyti ku do të udhëtojnë dhe së treti, a ka mal apo det, atje për ku do të udhëtojnë. Ju, i keni të dyja edhe malin edhe detin, duke shtuar edhe diellin”, u shpreh nënkryetari i Bashkisë së qytetit Bocholt. Ai shprehu gjithashtu dëshirën që, Vlora të shndërrohet në të ardhmen edhe në një destinacion për turistët nga Gjermania, ndërkohë që uroi që në Samitin e ardhshëm të Zagrebit, të ketë një “po”, për çeljen e negociatave me Shqipërinë.

Bones si edhe pjestarët e tjerë të delegacionit, kërkuan gjithashtu që gjatë vizitës së ardhshme të delegacionit vlonjat në Gjermani, të diskutohet me terma konkrete dhe me grupet respektive për fushat e bashkëpunimit.

Gjatë qëndrimit në Vlorë, miqtë gjermanë zhvilluan takime me kryebashkiakun Dritan Leli, me drejtuesit dhe anëtarët e këshillit bashkiak, me përfaqësues të komunitetit të biznesit, ndërkohë që zhvilluan vizita në Shkollën e Mesme Tregtare dhe Shkollën e Mesme Artistike “Naim Frashëri”.

Në përbërje të këtij delegacioni ishin edhe  Michael Lemke, anëtar i këshillit bashkiak (Fraksioni i të Gjerlbërve”, kryetar i komisionit të kulturës, Stefan Schmeink, anëtar i këshillit bashkiak (Partia Socialdemokrate SPD), nënkryetar i komisionit të sportit, Jule Wanders, Drejtore për kulturën dhe arsimin, Petra Taubach, drejtore për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe rrjetëzimet Bocholt-EU-Botë dhe drejtore e projektit të binjakëzimit me Vlorën, Anduena Stephan, Konsulle Nderi e Shqipërisë në Gjermani, përfaqësuese e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë e Tiranës në Gjermani dhe presidente e Shoqatës së Diasporës IDEAL, Brahim Krasniqi, sipërmarrës në mjaft kompani, nismëtar kryesor i binjakëzimit me Vlorën, Agim Ramaj, bashkëiniciator i binjakëzimit dhe përfaqësues i sindikatave të qytetit Bocholt, Bekim Hoxhaj, nga shoqata integrative gjermano shqiptare IDEAL.

Bocholt është një qytet me 75 mijë banorë në Landin e Vestfalisë, në kufi me Holandën. Në të funksionojnë 7500 ndërmarrje të vogla e të mesme, si edhe 8 filiale të kompanive me famë ndërkombëtare, mes të cilave, “Siemens”, ajo e prodhimit te helikave të parqeve eolikë, kompania “Zanussi” etj. Në të funksionojnë Universiteti, Shkolla e Muzikës, e arsimit të të rriturve, ajo e gazetarisë, ndërkohë që qyteti është mjaft i njohur historikisht për industrinë tekstile, për të cilën ka edhe muzeumin përkatës.

Parku industrial, që shtrihet në një sipërfaqe prej 250 ha, është konsideruar një sukses i vërtetë për ekonominë e qytetit, çka ka shtyrë bashkinë të blejë edhe 60 hektarë të tjerë për zgjerimin e tij.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.