FOTO/Artan Imami rikthen në skenën e “ArTurbina”, komedinë “Don Zhuan” të Molierit

TIRANE, 7 mars/ATSH/-Kryevepra e Molierit, “Don Zhuan”, e prezantuar për herë të parë në vitin 1665, ngjitet në skenën e teatrit ‘ArTurbina’, për 10 mbrëmje me radhë.

Me regji të Artan Imamit, komedia luhet nga një kastë aktorësh si Xhejni Fama, Luiza Xhuvani, Genti Deçka, Dajana Nenaj, Alesia Xhemalaj, Donald Shehu, Xhuliano Brisku dhe Artan Imami.

Kjo komedi që mbetet më e diskutueshmja dhe më enigmatikja e Molierit, e cila u shfaq premierë mbrëmjen e 6 marsit, do të vijojë të vihet në skenën  deri më 15 mars.

Imami e ka konsideruar këtë rikthim me komedinë “Don Zhuan”, pas 24 vjetësh që prej vitit 1997, shfaqja e së cilës u ndërpre për shkak të trazirave të vitit 1997, si një sfidë profesionale.

“Pas 24 vitesh, pasi ka lënë shije të mirë në mendjen e publikut që e ka parë shfaqjen, për mua është një sfidë që të jetë po në të njëjtin nivel. I ka bazat për të pasur sukses, sepse vepra është shumë e mirë”, është shprehur Imami  për mediet.

Molieri është cilësuar edhe si babai i komedisë franceze. Ai krijoi komedi të cilat godisnin çdo ves ose shfaqje negative të kohës dhe të njeriut në përgjithësi.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.