Dëmet nga tërmeti/ Gati projekti për ndërtimin e Spitalit të ri të Laçit


TIRANË, 7 mars/ATSH/ Projekti për ndërtimin e Spitalit të ri të Laçit është tashmë gati dhe banorët do të kenë një godinë me të gjitha kushtet dhe standardet, pas shembjes së spitalit të vjetër të dëmtuar rëndë nga tërmeti.

Lajmin e bëri të ditur sot Kryeministri Edi Rama, i cili publikoi edhe pamje nga projekti i spitalit të ri.

“Gati edhe projekti i Spitalit të ri të Laçit, që do të ngrihet në vend të spitalit të vjetër pas goditjes fatale të tërmetit. Fundjavë të mbarë”, tha Rama, ndërsa publikoi pamjet e projektit.

Në 14 dhjetor 2019, gjatë inspektimit të godinës së spitalit të dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit në Laç, Kryeministri tha se shumë shpejt do të nisë puna për ndërtimin e spitalit të ri.

“Shumë shpejt do të ndërtojmë spitalin e ri. Kemi bërë të gjitha përgatitjet për të nisur projektin, besoj se shumë shpejt do ta ndërtojmë. Duhet ta prishim dhe do ta bëjmë kuptohet shumë më të mirë se ai që është”, deklaroi atëherë kryeministri Rama.

Tashmë projekti është gati dhe pritet nisja nga puna për ndërtimin e Spitalit të ri në Laç, i cili do të ofrojë të gjitha shërbimet sipas standardeve më të mira.

Tërmeti me magnitudë 6.3 i shkallës Rihter që goditi Shqipërinë nëntorin e kaluar dëmtoi rëndë mijëra ndërtesa, përfshirë edhe Spitalin e Laçit, i cili u ofronte shërbim rreth 80 mijë banorëve dhe doli tërësisht jashtë funksionit./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.