Basha në Dajç: Ne do të garantojmë shkolla të hapura në çdo cep të Shqipërisë

TIRANE, 7 mars/ATSH/- Në kuadër të turit “Po të dëgjoj”, Kryetari i PD-së Lulzim Basha ishte sot në Dajç të Shkodrës me nxënës dhe prindër në shkollën 9-vjeçare “Shtjefën Maçi”, që sipas tij, ka mbyllur dyert këtë vit për shkak të largimit të shumë banorëve të kësaj zone nga Shqipëria.

Prindërit tregojnë se fëmijët janë zhvendosur larg, në Dajç të ri ose në Shkodër për të ndjekur mësimet.

Basha shprehet se “trishtimi dhe vështirësitë e këtyre fëmijëve që udhëtojnë me orë të tëra përditë për të shkuar në shkollë, duhet të marrin fund. Ne do të garantojmë shkolla të hapura në çdo cep të Shqipërisë dhe me alternativën tonë për transformimin ekonomik të vendit, do t’i japim fund largimit masiv të shqiptarëve”.

Ai thekson se “do të bëj gjithçka që njerëzit të mos ikin as nga Dajçi, as nga Shkodra dhe për këtë më duhet ndihma e të gjithëve”.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.