FOTO/ Gjermania i dhuron policisë shqiptare 7 automjete me vlerë 327 mijë euro

TIRANË, 6 mars/ATSH-Arbi Fortuzi/- Gjermania i ka dhuruar 7 automjete të markës “Mercedes Benz Sprinter” që kapin shifrën 327.000 euro, të cilat rinovojnë flotën e Policisë, me automjete të reja dhe cilësore, duke rritur performancën e strukturave policore dhe njëkohësisht kushtet e punës dhe shërbimit të punonjësve të Policisë e në këtë rast atyre të FNSH-së.

Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, u zhvillua ceremonia e dhurimit të automjeteve nga Policia Federale gjermane, ku merrnin pjesë ministri i Brendshëm, Sander Lleshaj dhe ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Peter Zingraf.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, në fjalën e tij tha se kjo ceremoni ka dyfish rëndësi dhe vlerë, pasi sot Policisë së Shtetit i jepet një tjetër mbështetje në logjistikë, një mbështetje shumë e nevojshme dhe e domosdoshme për të përmbushur detyrat e saj.

“Kjo mbështetje, kësaj radhe vjen përsëri nga një ndër partnerët tanë strategjikë, siç është Policia Federale Gjermane. Së pari, më lejoni të shpreh vlerësimet e mia për marrëdhëniet mjaft të mira të bashkëpunimit me Policinë Federale të Gjermanisë dhe me BKA-në, marrëdhënie jo thjesht protokollare, por shumëdimensionale, konkrete dhe të vlefshme në drejtim të rritjes së profesionalizmit, përmirësimin e imazhit, përmirësimit të logjistikës dhe të besueshmërisë”, – tha Veliu.

“Policia e Shtetit, sidomos vitet e fundit, është mbështetur fuqishëm, qoftë nga BKA-ja, ashtu edhe nga Policia Federale, por edhe nga qeveria gjermane, nëpërmjet ambasadës së saj në Tiranë, mbështetje kjo në logjistikë, trajnime, shkëmbim eksperiencash, në operacione policore të përbashkëta, qoftë me Policinë Kriminale, ashtu edhe me Policinë Kufitare”, – u shpreh Drejtori i Policisë së Shtetit.

“Kjo mbështetje, jo vetëm nga Gjermania, por nga shumë partnerë seriozë dhe agjenci ligjzbatuese, ka ardhur si rezultat i rritjes së besueshmërisë, profesionalizmit dhe vendosmërisë së Policisë së Shtetit vitet e fundit, për të luftuar krimin e organizuar dhe terrorizmin krah për krah dhe e barabartë me policitë homologe”, – tha Veliu.

“Ministria e Brendshme Federale gjermane, e përfaqësuar nga Presidiumi i Policisë Federale, i ka dhuruar Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, 7 automjete të markës Mercedes Benz Sprinter që kapin shifrën 327.000 euro dhe sot jemi këtu në këtë ceremoni të thjeshtë, por kuptimplotë, për të marrë në dorëzim nëpërmjet ambasadorit, Shkëlqesisë së Tij, zotit Zingraf, këto automjete të kalueshmërisë së lartë, të loguara dhe të pajisura me sinjalistikë policie, të cilat do të jenë në përdorim nga Reparti i Ndërhyrjes së Shpejtë Tiranë. Kjo parti mjetesh i shtohet mjeteve dhe donacioneve të tjera të dhuruara nga strukturat e Ministrisë së Brendshme Federale gjermane ndër vite”, – bëri me dije Veliu.

“Rinovimi i herëpashershëm i flotës së Policisë, me automjete të reja dhe cilësore,Ve përmirëson akoma më tej performancën e strukturave policore dhe njëkohësisht kushtet e punës dhe shërbimit të punonjësve të Policisë e në këtë rast atyre të FNSH-së, të cilët gjej rastin t’i uroj dhe përgëzoj për punën dhe përkushtimin e tyre në detyrat e ngarkuara”, – shtoi ai.

“Duke përfunduar dua të siguroj partnerët tanë se Policia e Shtetit, me profesionalizëm dhe besueshmëri të lartë, do vijojë e vendosur luftën ndaj krimit të organizuar dhe terrorizmit, duke bashkëpunuar ngushtësisht me të gjitha agjencitë ligj zbatuese brenda dhe jashtë vendit, me qëllim krijimin e një ambienti sa më të sigurt”, – përfundoi kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.