Festa e 7-8 marsit, çelet ekspozita me piktura të nxënësve në Librazhd

TIRANË, 6 mars/ATSH/Në kuadër të festave të 7 dhe 8 Marsit, në hollin e Qendrës Kulturore  në Librazhd, u çel ekspozita në vizatim e pikturë e nxënësve të shkollave 9-veçare të bashkisë Librazhd.

Ky aktivitet u mundësua falë angazhimit të instruktorëve të Qendës Kulturore të Fëmijëve, në bashkëpunim me Zyrën Arsimore Librazhd si dhe bashkinë e Librazhdit.

Me punën e tyre nxënësit e bashkisë Librazhd sjellin motive dhe mesazhe ideoestetike mbi traditat, familjen, mësuesit, nënat, natyrën në këtë qytet duke dëshmuar se të bukurën ata e kanë pjesë të rëndësishme të personalitetit të tyre dhe e shprehin atë si ide dhe ideal estetik.

“Është shpresëdhënës fakti që nxënësit e bashkisë sonë e shohin dhe e pikturojnë natyrën të pastër të bukur, pa ndotjet e ditës, ashtu siç ata e shohin, por edhe siç ata e duan. Manifestime të tilla artistike kulturore, ku protagonistë janë nxënësit, na mundësojnë të shohim dhe njohim botën shpirtërore, idetë dhe idealet e tyre të pastra e të shëndetshme estetike, duke na rrëfyer qytetarin e ardhshëm të bashkisë sonë”, -thonë specialistë e bashkisë.

Ekspozita me piktura nga nxënësit do të qëndrojë e hapur përgjatë muajit mars. z.tosku/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.