Thaçi: Familja Jashari, nderi dhe krenaria e kombit shqiptar

PRISHTINË, 5 mars /ATSH/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e shënimit të 22-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka nderuar të rënët e familjes Jashari më 5, 6 dhe 7 mars.

Me këtë rast ai ka thënë se sakrifica dhe heroizmi i Jasharajve është zëri i ndërgjegjes së të gjithëve, njofton KosovaPress.

Thaçi shtoi se familja Jashari bënë atë që të tjerët kudo në botë nuk e kishin bërë, sakrificën më sublime për lirinë, pavarësinë dhe bashkimin kombëtar.

Kreu i shtetit tha se, lufta heroike e komandant Adem Jasharit do të shërbejë si udhërrëfyes për të ardhmen e Kosovës.

“Po shënojmë ditët e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ditët ku komandanti legjendar Adem Jashari, familja Jashari bënë atë që të tjerët kudo në botë nuk e kishin bërë, sakrificën më sublime për lirinë, pavarësinë dhe bashkimin kombëtar. Lufta heroike e komandantit legjendar dhe familjes Jashari është nderi dhe krenaria e kombit në të njëjtën kohë është edhe udhërrëfyesi për të ardhmen për shtetin e Kosovës për kombin shqiptar për të ardhmen e Kosovës që të jemi sa më shpejt pjesë e NATO-s e BE-së, që të jemi një vend i zhvilluar i progresit një vend që do të ndihet mirë çdo qytetar për të jetuar, do të ndihet edhe krenar. Lavdi dëshmorëve të kombit! Lavdi komandantit legjendar Adem Jashari!”, u shpreh Thaçi.

/KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.