Presidenti bullgar: Shqipëria gati për të nisur negociatat për anëtarësimin në BE

TIRANË, 5 mars /ATSH – I. Vata/- Presidenti Ilir Meta priti sot në një takim homologun e tij bullgar, Rumen Radev.

Në një konferencë të përbashkët për mediet, Meta falënderoi Presidentin Radev për mbështetjen dhe kontributin në përballimin e pasojave pas tërmetit shkatërrimtar.

“Theksova për rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e emergjencave civile, pasi bashkë do t’i përballojmë. Ai nesër do të ketë edhe rastin që të vizitojë zonat e prekura nga tërmeti. Kemi diskutuar për bashkëpunime edhe në fushën e kulturës dhe arsimit, për shkëmbimin e studentëve. Duke bashkëpunuar në këto fusha marrëdhëniet tona do të jenë më të prekshme dhe më të suksesshme. Dua t’jua uroj për fetën tuaj kombëtare, do të kemi mundësi ta festojmë edhe sot në Tiranë”, tha Meta.

Nga ana e tij,  Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev theksoi se “jam këtu me një qëllim të rëndësishëm, të shpreh mbështetje për rrugën europiane”.

“Vizita ime vjen në një moment të rëndësishëm sa i takon perspektivës së Ballkanit Perëndimor. Mendojmë se Shqipëria është gati për të nisur negociatat për anëtarësimin në BE. Ne kuptojmë që procesi është i ndërlikuar dhe i gjatë, por jemi të gatshëm të afrojmë asistencën tonë”, tha ai.

“Pakicat kombëtare të jenë e lirë që të realizojë të drejtat, është një ndër kriteret tona për mbështetjen. Jam i bindur që do jemi dëshmitarë të përfundimit të suksesshme të miratimit të ligjeve dhe cencusi i ardhshëm të ketë liri që secili të shprehë lirshëm kombësinë e vet”, u shpreh Radev, duke shtuar se “presim të jenë shtetas luajalë e të luajnë identitetin e vet”.

Sa i përket perspektivës së zhvillimit ekonomik, ai tha se “diskutuam edhe mundësitë për rivendosjen e linjës ajrore Tiranë-Sofie, e bashkëpunimin detar përmes porteve”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.