Koalicion nga mediat tek Presidenti në mbrojtje të krimit të organizuar

TIRANË, 5 mars /ATSH-Gjergji Mima/ -Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kuvend se është ngritur një koalicionin i larmishëm mes segmentesh dhe protagonistësh që vijnë nga të gjitha rrugët e jetës publike nga mediat tek Presidenti i Republikës në mbrojtje të subjekteve të paketës “Anti KÇK”.

“Si ka mundësi që pikërisht kur u shfaq më e qartë më e thellë dhe më e fortë se asnjëherë në 3 dekada vija e kuqe mes shtetit dhe krimit të organizuar ngrihet një koalicion kaq i larmishëm mes segmentesh dhe protagonistësh që vijnë nga të gjitha rrugët e jetës publike. Nga mediat tek i ashtuquajturi Presidenti i Republikës. Nga opozitat, këtu pak çaste  para meje dhe atje në rrugë deri tek Avokati i Popullit, për t’i qarë hallin këtyre të shkretëve që kanë vrarë, që kanë përdhunuar, trafikuar çfarë kanë mundur, që kanë grabitur pronat sa kanë mundur, kanë shantazhuar sa nuk merret as me mend njerëzit e zakonshëm dhe sipërmarrësit  e këtij vendi dhe që me demek tani po dhunohen në të drejtat e tyre njerëzore. Po turp nuk ju vjen fare”, tha Rama.

“Nuk ju vjen turp fare të gjithë këtyre njerëzve që kanë një mikrofon në dorë, që kanë mundësinë të dalin në një ekran, që kanë mundësi të thonë  një  fjalë dhe janë bërë karvan qorrash për të bërë pelegrinazhin në drejtim të qelive, ku janë kyçur një pjesë e këtyre, apo në drejtim të gjithë atyre që s’janë kyçur akoma, duke çuar mesazhin që ne jemi me ju, ju e keni me këta, ne jemi me ju. Ju çfarë prisni. Prisni që t’ju zhveshin nga fuqia juaj që buron nga paraja e zezë, që buron nga asetet kriminale. Ngrihuni, bashkohuni dhe bëni atë që duhet bërë. Mundësisht na e hiqni qafe fizikisht”, u shpreh kryeministri Rama.

“Si ka mundësi që deri kur ne shpallëm këtë ofensivë dhe deri kur lufta jonë me krimin e organizuar s’kishte marrë këtë përmasë, po këta, këto viktima të shkeljes së të drejtave të njeriut nga ky shtet policor ishin as më shumë e as më pak po djalli vetë në sqetullën tonë, ose në prehrin tonë. Kurse tani këta u kthyen në disa rob Zoti që duhen marrë në mbrojtje sepse janë viktimë e qeverisë dhe shtetit policor”, tha Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.