FOTO/ 29 vite nga eksodi masiv i shqiptarëve drejt Italisë

TIRANË, 5 mars /ATSH/ Qyteti bregdetar i Durrësit, por jo vetëm, nuk mund ta harrojë javën e parë të marsit të 29 viteve më parë, kur porti i qytetit ishte pikënisja e ëndrrës drejt lirisë. Anijet e ankoruara në kalatat e portit më të madh të Shqipërisë, të tejmbushura nga “guximtarët” e pranverës së lirisë, sot pas 29 vitesh janë dëshmi e grushtit të fundit të diktaturës.

Në fillim të marsit 1991 mijëra shqiptarë u larguan nga vendi, duke shfrytëzuar anijet e ankoruara në kalatat e portit më të madh të Shqipërisë.

Vetëm në javën e parë të atij viti, në portin e Brindizit (Itali) janë ankoruar 24 mjete lundruese të madhësive të ndryshme, me një numër të jashtëzakonshëm njerëzish nga Shqipëria.

Katër vjet më parë Autoriteti Portual (APD), në bashkëpunim me Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) dhe bashkinë Durrës organizuan fotoekspozitën “Porti i Durrësit – 25 vjet pas Eksodit”.

Ndërkaq, në APD janë mbledhur edhe foto të tjera, të realizuara 29 vjet më parë në sheshet dhe basenin e portit.

Kjo ekspozitë me foto ishte një homazh për qindra e mijëra të rinj e të reja që u larguan me anije nga vendi, duke i dhënë grushtin e fundit diktaturës.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.