Basha nderon veprën e Adem Jasharit: 5 marsi 1998 shënon kthesën e madhe në historinë e Kosovës për liri

TIRANË, 5 mars/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha kujtoi sot 5 marsin e vitit 1998, që sipas tij, “shënon kthesën e madhe në historinë shekullore të përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri”.

“22 vjet më parë Jasharët i treguan botës mbarë se çfarë çmimi ka liria për bijtë e shqipes. Epopeja e familjes Jashari me në krye komandantin legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharin vuri gjakun në themelet e Kosovës së lirë e të pavarur! Sot përulemi me nderim përpara veprës së Adem Jasharit, familjes Jashari, bijave dhe bijve të Kosovës që dhanë jetën dhe kurrë nuk u dorëzuan para masakrave, terrorit dhe genocidit barbar”, tha Basha.

Ai tha se “teksa gëzojmë lirinë e Kosovës, kemi akoma shumë për të përmbushur amanetin e heronjve tanë në Shqipëri e Kosovë”.

Basha shprehu bindjen se kombi do t’ja dalë të ndërtojë mbi sakrificat e martirëve,  të nesërmen e dinjitetit dhe standardeve europiane.

“Lavdi e pavdekshme komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jashari, nderim përjetë familjes Jashari dhe bijve e bijave të Kosovës  që dhanë jetën për liri”, tha Basha./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.