Menaxhimi i fatkeqësive natyrore/ Lezha përfshihet në projektin pilot për uljen e riskut

TIRANË, 4 mars /ATSH/ Bashkia e Lezhës është përfshirë në një projekt pilot të qeverisë shqiptare në bashkëpunim edhe me organizatat ndërkombëtare, për rritjen e kapaciteteve të manaxhimit të riskut të fatkeqësive në nivelin lokal.

Lezha ishte nga vendet më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit dhe në përgjithësi, territori i qarkut është i prirur ndaj fatkeqësive natyrore si përmbytjet dhe zjarret.

Për të rritur masat ndaj këtyre rreziqeve natyrore, qeveria dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara PNUD në bashkëpunim me bashkinë Lezhë dhe CO-Plan kanë hedhur tashmë hapat e para të zbatimit të një projekti pilot i cili synon rritjen e kapaciteteve të manaxhimit të riskut të fatkeqësive në nivelin lokal.

Deri tani janë organizuar disa takime me aktorë kryesor në nivel lokal, ekspertë të PNUD, zyrtarë dhe stafi teknik i Bashkisë, për të hartuar shtrirjen e projektit. Filloi gjithashtu dhe mbledhja e të dhënave dytësore në nivel qendror dhe kombëtar. Ndërsa vendimi për krijimin e Komisionit Bashkiak për Mbrojtjen Civile është hartuar dhe pret t’i shtohen sugjerimet e komunitetit.

Në takimin e radhës do të intervistohen banorët e Shënkollit mbi risqet e fatkeqësive, vulnerabilitetin dhe kapacitetet përballuese ndaj tyre.

Përveç krijimit të Komisionit Bashkiak të Mbrojtjes Civile, kryerjes së vlerësimit të riskut në nivel lokal, dhe hartimit të rekomandimeve për integrimin e reduktimit të riskut të fatkeqësive në planet e zhvillimit, projekti pilot konsiston edhe në zhvillimin e planeve lokale të emergjencës dhe kryerjen e vlerësimit GIS me shumë rreziqe të bazuar në shkencë.

e.xh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.