Lehtësitë fiskale për dëmet nga tërmeti/ Tatimet: Biznesi të paraqesë raportin brenda 10 marsit

TIRANË, 4 mars/ATSH/-Administrata Tatimore njofton të gjithë tatimpaguesit e prekur nga tërmeti i datës 26 nëntor të vitit që lamë pas se, mbështetur në udhëzimin “Për tatimin mbi të ardhurat” dhe atë “Për tatimin e thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël”, do ti njihen si të zbritëshme shpenzimet për dëmet nga tërmeti.

Për të përfituar nga këto lehtësi fiskale, tatimpaguesit e prekur nga kjo fatkeqësi natyrore, duhet të paraqesin pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore, listën me përshkrimin e detajuar të mallrave dhe aktiveve të dëmtuara apo shkatërruara, përfshirë sasinë për çdo lloj.

Po ashtu, faturat e blerjes së mallrave të dëmtuara apo dokumentacionin e aktiveve afatgjata të dëmtuara, si dhe raportin nga organi kompetent përkatës për shkatërrimin e aktiveve afatgjata.

Konkretisht do të njihen si shpenzime të zbritëshme vlera kontabël e mallrave si dhe vlera kontabël e mbetur e aktiveve, që janë dëmtuar/shkatërruar për shkak të fatkeqësive natyrore në zonat që sipas përkufizimit të dhënë në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen civile janë shpallur “zona të fatkeqësisë natyrore”.

Të gjithë tatimpaguesit e prekur nga tërmeti, janë të lutur që brenda datës 10.03.2020, të paraqesin pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore ku janë të regjistruar dokumentacionin si më sipër.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.