Koronavirusi/ Merkaj: Kontrolle mjekësore dhe gjurmim edhe për emigrantët e paligjshëm

TIRANË, 4 mars/ATSH-Arbi Fortuzi/- Kontrolli mjekësorë në kuadër të koronavirusit, në pikat kufitare për shtetasit që zgjedhin të vijnë vendin tonë vijon sipas planit të masave të përgatitura, ndërsa i njëjti kontroll ushtrohet edhe për shtetasit që hyjnë përmes kufirit të gjelbër në mënyrë të paligjshme në vendin tonë.

Drejtori i Përgjithshëm i Emigracionit, Eduard Merkaj u shpreh gjatë mbledhjes së Task-forca për koronavirusin se është përgatitur plani i masave për emigrantët që vijnë nga zonat e konfliktit. “Që nga dita e parë që kemi përgatitur planin e masave dhe kemi rekomanduar kontrolle të shtuara në pikat kufitare vazhdojnë të njëjta kontrolle si në pikën kufitare të Rinasit, ashtu dhe në të gjitha pikat e tjera kufitare, deri në më të largët”,- tha ai.

“Edhe për këta shtetas që vijnë nga zonat në konflikt dhe që shfrytëzojnë kryesisht kufirin e gjelbër në jugun e vendit, ne vazhdojmë kontrolle dhe me të gjithë këta emigrantë kryhen të njëjtat procedura si për ata që vijnë nga pikat kufitare në mënyrë të rregullt. Marrim edhe të dhënat e përcaktuara të secilit prej tyre për të bërë të mundur më pas gjurmimin e tyre, në rast se do të kenë më pas probleme shëndetësore të ndryshme”,- u shpreh Merkaj.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.