Këshilli i Lartë i Prokurorisë, miraton disa vendime të rëndësishme

TIRANË, 4 mars /ATSH/- Këshilli i Lartë i Prokurorisë në mbledhjen e sotme ka miratuar disa vendime.

Konkretisht është miratuar ndryshimi në nenin 3, pika 3 e rregullores, “Këshilli nuk mund të caktojë përkohësisht një prokuror më shumë se katër herë në të njëjtin pozicion ose në një pozicion tjetër” duke hequr kufizimin kohor deri në miratimin e “Rregullores mbi kriteret dhe procedurën për ngritjen në detyrë të prokurorëve”.

Anëtari Kosta Beluri i propozoi Këshillit të shtohet në rendin e ditës ndryshimi i vendimit “Për Kryerjen e Verifikimit të Figurës dhe Pasurisë për Kancelarët në detyrë”, duke shtuar edhe verifikimin e kritereve të tjera ligjore krahas vlerësimit të pasurisë dhe figurës, në përputhje me Ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e sistemit të prokurorisë”, dispozita kalimtare për Sekretarin e Përgjithshëm dhe Kancelarin, ku parashikohet se Këshilli i Lartë i Prokurorisë “kryen verifikimin e figurës dhe të pasurisë, si dhe plotësimin e kushteve dhe procedurave të parashikuara nga ligji për shërbimin civil për sekretarin e përgjithshëm dhe kancelarët në detyrë”.

Konkretisht, ndryshimin e titullit të Vendimit sipas tekstit “Për kryerjen e verifikimit të figurës, pasurisë dhe kritereve të tjera ligjore, për kancelarët në detyrë” duke përfshirë në bazën ligjore të vendimit “Për nëpunësit civil”, i ndryshuar si dhe të Ligjit “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar.

Ndryshimin e pikës 1 të vendimit sipas tekstit “Të kryejë verifikimin e figurës, pasurisë dhe kritereve të tjera ligjore, për kancelarët në detyrë”, si dhe ndryshimin e pikës 2 të vendimit sipas tekstit “Të hartojë raporte të veçanta me rezultatet e verifikimit sipas pikës 1 të këtij vendimi, për çdo kancelar në detyrë”.

Me shumicë votash u miratua projekt-akti për komandimin e Mirela Kapo, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë, në pozicionin e ndihmës-magjistratit pranë Kabinetit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për një periudhë pesë vjeçare duke filluar nga data 04.03.2020.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, bazuar nё Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, dhe pasi u njoh me vendimin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit si dhe relacionin e përgatitur nga Komisioni i Disiplinës, vendosi të deklarojë mbarimin e mandatit si anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë për Besnik Cani, për shkak të papajtueshmërisë në ushtrimin e detyrës.

Gjithashtu, Këshilli ka hedhur shortin për përzgjedhjen e tre anëtarëve të Komisionit të Përkohshëm, i cili do të shqyrtojë arkivimin e ankimit e një shtetasi kundër një prokurori, në lidhje me vendimin nr.18/1 datë 24.01.2020, ku Prokurori i Përgjithshëm ka vendosur arkivimin e kësaj kërkesë/ankesë. Kundër këtij vendimi është ushtruar ankim nga ana e qytetarit, përpara Këshilli të Lartë të Prokurorisë.

Bazuar në ligji, për shqyrtimin e kësaj kërkese krijohet një komision i përbërë nga dy anëtarë jo-prokurore dhe një anëtar prokuror. Komisioni është përcaktuar me short nën kujdesin e Kryetarit. Shorti përcaktoi tre anëtarë të Komisionit të Përkohshëm, Tartar Bazaj, Alfred Balla dhe Kostaq Beluri. Vendimet e komisionit të përkohshëm janë përfundimtare dhe nuk mund të apelohen para mbledhjes plenare të Këshillit. e.xh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.