BE mbështetje të plotë për Rindërtimin, ekspertë monitorues dhe kontribute në terren

TIRANË, 4 mars /ATSH-Gjergji Mima/ – Bashkimi Europian i ofron Shqipërisë për rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit mbështetje dhe ndihmë të plotë, kontribut konkret, jo vetëm sa i takon shifrave financiare, por edhe kontributit në terren.

Kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, ambasadori Luigi Soreca, duke falënderuar Kryeministrin Rama që mbledhjen e Komitetit të Rindërtimit e shtriu me pjesëmarrjen e ambasadorëve, u shpreh se slogani mbetet i njëjtë si ai i 17 shkurtit në Konferencën e Donatorëve, “Së bashku për Shqipërinë”.

“Siç u tha dhe nga presidentja Von der Leyen dhe siç u tregua dhe në Konferencën e përbashkët me ju, është dëshmuar një kujdes i jashtëzakonshëm dhe dashuri e jashtëzakonshme ndaj këtij vendi ku ne shërbejmë. Siç thatë dhe ju me të drejtë ne duhet të ecim përpara tani”.

“Sa na takon ne, jemi krenarë që kemi marrë përsipër detyrën për organizimin e një Konference të tillë kaq të madhe. Nuk është detyrë e thjeshtë, siç mund ta imagjinoni. Na janë dashur shumë përpjekje, si këtu edhe në Bruksel megjithatë pritshmëritë tona u tejkaluan nga rezultatet. Përfshirë këtu njerëzit e përfshirë, rezultatet e Konferencës në përgjithësi”, tha Soreca.

“Pas disa ditësh organizimesh të gjërave, mendoj që jemi të gatshëm të vijojmë me fazën pasardhëse. Kemi diskutuar me ministrin e Rindërtimit gjatë gjithë kohës për të kuptuar si donator më i madh për t’u siguruar që jo vetëm të jemi të shpejtë në prodhimin e rezultateve, por nga ana tjetër të jemi dhe efektiv”, u shpreh ai.

Siç e përmendët ju, shtoi Soreca, “kjo është mundësi e re për Shqipërinë. Fakti që prezantohet një kombinim i elementeve të rindërtimit, por nga ana tjetër që shkohet edhe përtej rindërtimit në vetvete, kjo e bën rolin e BE edhe më të pranishëm, edhe më të rëndësishëm për shkak të faktit që jeni në procesin e integrimit drejt BE dhe ka fusha që do të ceken prej procesit të rindërtimit”.

Pra, tha Soreca, “ne e ndjejmë që kemi një detyrë dhe jo vetëm kaq, por kemi detyrim për të ndihmuar, por edhe për të këshilluar. Për ta bërë këtë gjë ne duhet të jemi pjesëmarrës në këtë proces. Edhe për këtë arsye dhe është e rëndësishme të jemi këtu në një platformë të ulemi së bashku me të gjithë kolegët tanë. Por gjithashtu  edhe me skuadrën që do ta drejtojë këtë program duke nisur me ministrin, në mënyrë që të sigurohemi që të gjitha përpjekjet e bëra do të shpaguhen dhe do të jenë të materializuara dhe të prekshme nga shqiptarët. Dhe të gjitha proceset do të realizohen në mënyrë transparente dhe llogaridhënëse”.

“Ne në fakt e kemi filluar procesin, siç e dini. Ju keni nënshkruar më datë 17 transhin e parë prej 15 milionësh ne aktualisht jemi tek pika që falë bashkëpunimit shumë efektiv me PNUD-in, që këto 15 milionë të mund të përdoren shumë shpejt. Në fakt ne po presim fundin e kësaj jave që të japim produktet  e para, rezultatet e para.  Pra pjesën e parë të këtij 15 milionëshi. Kemi  diskutuar gjithashtu me ministrin sesi të përqendrohemi dhe si të organizohemi sa i takon kontributit tonë sa i takon ndërtimit të ndërtesave”, nënvizoi Soreca.

“Përmendët koordinimin e donatorëve. Është absolutisht shumë e rëndësishme të jemi së bashku. Kemi diskutuar me partnerët ndërkombëtarë gjatë përgatitjes së raportit të vlerësimit që në vetvete ishte një sukses dhe ne duhet të vazhdojmë të bëjmë të njëjtën gjë. Është absolutisht  e rëndësishme që ne të koordinohemi me ju, por është e rëndësishme të koordinohemi  dhe ndërmjet nesh. Nuk është e rëndësishme të krijohet një platformë e re, por ne kemi një format, që është formati  i partnerëve të bashkëpunimit dhe zhvillimit, ku tek kjo platformë duhet që të funksionojmë për t’u siguruar që të mos ketë mbivendosje, mos përkime ndërmjet rankimeve, kontributeve dhe asaj që bëhet në praktikë”, tha Soreca.

“Sa i takon sfidave të tjera ju po na sfidoni si BE dhe ne na pëlqen kjo gjë. Dhe ne na pëlqen oferta e ministrit Ahmetaj për pjesëmarrje në strukturën e rindërtimit. Neve do të mobilizojmë ekspertizë që do të vendoset në dispozicion të Komitetit Shtetëror. Do të flasim me ministrin sa i takon teknikaliteteve të atashimit të personelit përkatës të specializuar tek ky Komision dhe tek zyra e ministrit”, u shpreh Soreca.

“Ka afate kohore që duhen realizuar që ne i dimë mirë. Megjithatë keni parasysh që ne punojmë ditë e natë për t’u siguruar  që gjërat të zhvillohen. Për shembull do të shkoj në Bruksel, sonte jo vetëm për këtë. Por do të organizohet një mbledhje e madhe pas tre javësh dhe duhet që të bëhen organizimet përkatëse për këtë. Por këto diskutime do të jenë pjesë  e takimeve të mia ku do të takohem me personat përgjegjës për disbursimin dhe do të mundohemi  të bëjmë të pamundurën që procesi i disbursimit me vendet të shpejtohet sa më shumë të jetë e mundur. Mbështetje të plotë, ndihmë të plotë, kontribut konkret, jo vetëm sa I takon shifrave financiare, por edhe kontribut në terren”, tha Soreca.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.