Ahmetaj: Infrastruktura publike, shtëpitë dhe shkollat janë tre komponentët ku do të duhen shumë financime

TIRANË, 4 mars/ATSH/ Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj prezantoi sot para përfaqësuesve të trupit diplomatik në vendin tonë si dhe të institucioneve financiare ndërkombëtare punën për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit që lamë pas.

Ai i njohu me kuadrin ligjor, vlerësimin e thelluar, zonat e reja të zhvillimit dhe procesin për prokurimin dhe shpronësimin. Ministri informoi se javën që vjen do të çelet edhe prokurimi ndërkombëtar për ndërtimin.

”Kemi shpallur 26 zona të reja për zhvillim dhe tashmë kemi miratuar edhe paketën e dokumenteve të prokurimit. Kemi propozuar zonat e zhvillimit, listën e ndërtesave publike, shkollave, etj”, theksoi Ahmetaj.

Procesi për prokurimin ndërkombëtar, tha Ahmetaj, hapet të mërkurën. “Do t’u nisim letër Dhomave të Tregtisë vendase dhe të huaj si dhe të gjitha ambasadave në vend. Po ashtu do ta publikojmë në “Financial Times”, deklaroi ai.

Për sa i përket transparencës në të gjithë procesin, ministri Ahmetaj deklaroi se do të përdoret portali unik që menaxhohet nga AKSHI, ndërsa siguroi se do të bëhet edhe koordinimi me donatorët për transparencën në nivel qendror e lokal. Ai bëri të ditur se qeveria ka ftuar PNUD-n dhe OKB-në për të bashkë menaxhuar të gjithë portalin e rindërtimit për të siguruar transparence të plotë në të gjithë procesin.

“Bashkërendimi që është në përgjegjësinë e ministrit për Rindërtimi duhet të ndodhë në kuadër të hartës së donatorëve. Dua të them se kemi programe të detajuara që është strehimi, rimëkëmbja shëndetësia, arsimi, infrastruktura publike, mbrojtja civile, monumentet kulturore, etj, ku donatorët do të na bashkohen”, theksoi Ahmetaj.

Shumë, theksoi ai, duan të orientohen nga arsimi apo mbrojtja civile. Por theksoi , ministri Ahmetaj, Komiteti e ka vënë tashmë theksin aty.

“Dhe ne nuk mund të mbi popullojmë një program me shumë donatorë. Infrastruktura publike, shtëpitë dhe shkollat janë tre komponentët ku do të duhen shumë financime. Brenda javës që vjen duhet bërë një inventar i mirë bashkërendimi dhe ta nisim aty”, u shpreh ministri.

Sipas Ahmetaj, kemi inventarizuar 12 mijë familje për bonusin e qirasë, ndërsa 9500 ndërtesa janë shpallur të pabanueshme dhe duhen rindërtuar.

Në bazë të të dhënave që do të mblidhen nga platformën “shtëpia ime” dhe pas konkluzioneve të komisioneve të posaçme të ngritura për çdo bashki, do të mund të nxjerrim numrin e saktë të familjeve që do të jenë në zonat e zhvillimit.

Pas shpalljes së listës së përfituesve qeveria, vijoi ai, do të nis akordimin e grandeve ose do ti përfshijë ato në inventarin e programit të rindërtimit.

Ministri, po ashtu shpjegoi se deri tani janë evidentuar 250 pallate të pa banueshme dhe nëpërmjet procedurave të detajuara do të bëhet edhe shembja e tyre. Po ashtu, tha ai, do të shemben rreth 4 mijë njësi banimi individuale, 49 shkolla si dhe 14 kopshte.

106 shkolla të tjera, 14 qendra shëndetësore dhe 55 monumente kulture duhet të rindërtohen ose rikonstruktohen.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.