Rimbursimi i TVSH-së, 9.1 miliardë lekë më tepër në 2019-n

TIRANË, 3 mars/ATSH/ Viti 2019 shënoi nivelin më të lartë historik të rimbursimit të TVSH-së në 10 vitet e fundit.

Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, gjatë vitit 2019 TVSH e rimbursuar llogaritet rreth 23.5 miliardë lekë, 63% ose 9.1 miliardë lekë më shumë se në vitin 2018, dhe 4.5 miliardë lekë më shumë se parashikimi fillestar.

Referuar të dhënave, në fund të vitit 2019, për rreth 1360 biznese të tillë si: eksportues, fason, grumbullues, transport ndërkombëtar, etj., stoku i rimbursimeve të padhëna është zeruar për herë të parë, për këtë kategori biznesesh.

Tashmë, stoku i TVSH së parimbursuar i përket vetëm 4 tatimpaguesve të mëdhenj. “Synimi ynë është që edhe ky stok të bëhet zero në mesin e vitit 2021, ndërsa për të gjithë bizneset e tjera nuk do të ketë asnjë ditë vonesë në rimbursimin e TVSH-së. Si rezultat i kësaj politike është arritur që tashmë të rimbursohet në afatin e parashikuar ligjor çdo kërkesë e subjekteve eksportues, fason apo investitorë të tjerë. Kjo do të përkthehet në më shumë likuiditet në dorë të bizneset për më shumë investime”, u shpreh pak ditë më parë ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj.

Shuma e rimbursuar e TVSH për 2009-2013 është 30.4 miliardë lekë, ndërsa për periudhën 2014-2019 kjo shumë është 54.5 miliardë lekë.

Personat e tatueshëm, të regjistruar për TVSH-në, që rezultojnë me tepricë kreditore mbi 400.000 mijë lekë, kanë të drejtë të paraqesin kërkesën për rimbursimin e TVSH-së pranë Drejtorisë së Rimbursimit të TVSH-së në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Kjo kërkesë paraqitet sipas formularit të miratuar “Kërkesë për rimbursimin e TVSH-së” (online si dhe zyrtarisht pranë Drejtorisë së Rimbursimit të TVSH-së në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve).

Drejtoria e Rimbursimit të TVSH-së në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, në bashkëpunim me drejtorinë rajonale tatimore ku është i regjistruar tatimpaguesi, verifikojnë situatën tatimore të tatimpaguesit dhe miratojnë tepricën kreditore si të rimbursueshme

Rimbursimi i TVSH-së për tatimpaguesit jo-eksportues kryhet brenda 60 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës nëpërmjet sistemit të Thesarit.

Tatimpaguesit eksportues ose personat e tatueshëm që rieksportojnë mallrat joshqiptare nën regjimin e përpunimit aktiv, për të cilët vlera e eksporteve të kryera në periudhën/at tatimore, për të cilën/at kërkohet rimbursim, është më shumë se 70% e vlerës së përgjithshme të shitjeve, përfshirë eksportet; kanë aktivitet eksportues mbi 1 vit; paraqesin si dokument prove të kryerjes së eksportit deklaratën doganore të eksportit, lëshuar sipas legjislacionit doganor në Republikën e Shqipërisë; apo nuk kanë detyrime të papaguara të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore rimbursohen automatikisht brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për rimbursim të TVSH-së, si persona me risk zero.

Tatimpaguesit eksportues, vlera e eksporteve të të cilëve, të kryera në periudhën/at tatimore për të cilën/at kërkohet rimbursimi, përbën më shumë se 50% deri në 70% të vlerës së përgjithshme të shitjeve, përfshirë eksportet, rimbursohen brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për rimbursim të TVSH-së, duke iu nënshtruar më parë procedurës së analizës së riskut. /a.gjonaj/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.