Programi i Rindërtimit- “Banesat në Thumanë do jenë vila”/Rama: Shtëpi aq sa kurora ka familja


TIRANË, 3 mars /ATSH-Gjergji Mima/ -“Të gjithë ata, të cilëve iu është prishur shtëpia dhe kanë qenë në shtëpinë e vjetër më shumë se një kurorë do t’i japim aq shtëpi sa ç’kanë kurora”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në një bashkëbisedim me banorët e Thumanës duke prezantuar projektet e rindërtimit.

Rama tha se, “siç ju kam thënë që ditën e parë unë do të qëndroj bashkë me ju me sytë dhe mendjen të përqendruar në radhë të parë për të bërë më të mirën që të gjithë ata që në ato momente të para ishin të shokuar dhe ndjeheshin të pashpresë ta bëjnë gëzuar Vitin e Ri 2021 në shtëpinë e re”.

E dyta, theksoi Rama, “çdo krizë është edhe një mundësi. Mirë është që kriza të mos vijnë, por kur vijnë njeriu duhet të shohë përveç të keqes që të dalë diçka e mirë prej kësaj. Të vjetrit kanë një fjalë,  thonë që çdo e keqe sjell dhe një të mirë. Një e keqe si ajo që ndodhi mos ardhtë më kurrë, por e mira që duhet të sjellë është që ne jo vetëm t’ju fusim në shtëpi, por t’ju fusim në shtëpi ku ju të jeni në kushte optimale, njësoj siç janë familjet që blejnë vila sepse i kanë mundësitë”.

Këto, tha Rama, “realisht do të jenë shtëpi, vila, në kuptimin më të plotë të fjalës. Shtëpi me hapësirë të mjaftueshme sipas frymëve. Për ata që janë një ose dy në shtëpi,  një dhomë dhe një kuzhinë 1+1, por goxha e bollshme. Për ata të tjerët, 2+1 dhe për ata që janë më shumë 3+1”.

“Dhe për ata të cilëve iu është prishur shtëpia dhe kanë qenë në shtëpinë e vjetër më shumë se një kurorë do t’i japim aq shtëpi sa ç’kanë kurora. Që me këtë rast t’i çlirojmë edhe marrëdhëniet mes vjehrrave dhe nuseve, që mos të rrinë aty në presion dhe nga presioni i tyre pastaj mos ta hajë çuni ose vjehrri. Po përtej shakasë, është shumë e rëndësishme që këtyre familjeve që janë më shumë se një kurorë t’i japim mundësi të kenë shtëpinë e tyre, me fëmijët e tyre”, nënvizoi Kryeministri Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.