Lufta kundër informalitetit në fokus të prokurorisë/ Çela: Jemi në situatë emergjence nga ngarkesa

TIRANË, 3 mars /ATSH – I. Vata/ “Krijimi i një ambienti mbytës ndaj gangrenës së informalitetit që ka gërryer për 30 vjet sistemin ekonomik në vend dhe është kthyer në pengesë për zhvillimin e qëndrueshëm social-ekonomik”, mbetet një ndër fokuset kryesore të organit të akuzës.

Deklarata u bë nga Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela në konferencën e nivelit të lartë “Sfidat e Prokurorisë së Përgjithshme në dritën e Reformës në Drejtësi”, mbajtur sot në Tiranë, ku merrnin pjesë edhe Luigi Soreca, ambasador i delegacionit të Bashkimit Europian, Yuri Kim ambasadore e SHBA-së, Bernd Borchardt ambasador i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi dhe drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Arben Kraja.

Çela tha se “reforma në Drejtësi ka sjellë ndryshime rrënjësore nga pikëpamja strukturore në ngrehinën e drejtësisë, suksesi i shumëpritur do të mbetej i skicuar vetëm në imagjinatën e krijuesve dhe promovuesve të saj nëse njerëzit që do të mbeteshin apo do të hynin brenda kësaj ngrehine do të vazhdonin të gëlonin në moçalin e apatisë dhe mediokritetit, duke pritur që ndryshimet të vinin sërish nga një botë tjetër, e huaj dhe e pakuptueshme për ta, por që kishte zgjidhjet magjike dhe për problemet më të thjeshta për të cilat mjafton vetëm forca e vullnetit të mirë për t’u dhënë zgjidhje”.

“Reforma në drejtësi është ende në proces, pasi ndërkohë që është miratuar një infrastrukturë e tërë ligjore për funksionimin e sistemit të drejtësisë, institucionet e reja janë ngritur vetëm pjesërisht. Edhe pse procesi i Vetingut nuk ka arritur ende në mesin e rrugëtimit të tij nga pikëpamja sasiore, organet e drejtësisë po ballafaqohen me mungesa të theksuara në burime njerëzore për shkak të largimeve të magjistratëve nga procesi i rivlerësimit kalimtar, ndërkohë që një pjesë e madhe e magjistratëve janë ende në proces apo nuk e kanë nisur procesin. Shtimi i ngarkesës së punës në çdo prokurori ka krijuar një situatë emergjence, pasi ndërsa jemi në vitin e katërt të reformës, ende nuk ka një perspektivë të qartë se kur sistemi do të funksionojë me kapacitete të plot”, tha Kryeprokurori.

Ai tha se “Konfigurimi i ri kushtetues dhe ligjor e ka futur prokurorinë në një proces jo të lehtë të ripërcaktimit të tipareve identitare, ndërkohë që dinamikat në jetën e vendit zhvillohen me një ritëm të atillë që nuk tolerojnë dobësi strukturore apo organizative. Për rrjedhojë gjetja e zgjidhjeve efikase që përmirësojnë funksionimin e brendshëm të organit dhe bashkëveprimin e tij në rrafshin institucional me agjencitë e tjera ligjzbatuese mbetet i vetmi opsion i vlefshëm ndaj rrezikut që paraqesin aktivitetet kriminale”.

Kryeprokurori tha se “masat që ne vlerësojmë se duhet të ndërmerren shtrihen në disa plane, duke nisur që nga organizimi i brendshëm i zyrave, infrastruktura operacionale, e deri tek strukturimi i bashkëveprimit ndërinstitucional”.

Po ashtu Çela tha se “objektiv primar mbetet forcimi i pavarësisë dhe rritja e përgjegjshmërisë së prokurorëve përmes ndërtimit të një sistemi efikas monitorimi të aktivitetit të tyre në ushtrimin e funksioneve”.

“Pjesë thelbësore e vizionit tonë është hartimi dhe zbatimi i një projekti madhor në funksion të miradministrimit të procesit të hetimit përmes modernizmit të tij, ndërsa kemi hyrë në epokën dixhitale, duke perfeksionuar mënyrat e komunikimit dhe administrimit të të dhënave. Rregullimi i ndërveprimit mes policisë gjyqësore dhe prokurorit që në fazën parahetimore është prioritet i rëndësishëm, pasi përmes ndërhyrjeve të natyrës administrative do të ulet ndjeshëm ngarkesa e panevojshme në punën e prokurorëve, duke rritur kështu produktivitetin”, tha ai.

Çela thekson se se “ne do të propozojmë sot ndërmarrjen e disa hapave konkretë për përmirësimin e kapaciteteve tona në hetimet që lidhen me pastrimin e produkteve të veprës penale dhe krimin financiar, duke synuar krijimin e një ambienti mbytës ndaj gangrenës së informalitetit që ka gërryer për 30 vjet sistemin ekonomik në vend dhe është kthyer në pengesë për zhvillimin e qëndrueshëm social-ekonomik”.

“Përtej këtyre, ne do të synojmë të vëmë në lëvizje një projekt për një qasje të re të institucioneve tona në raport me mënyrën e hartimit të politikave penale, përmes një këndvështrimi shkencor që bazohet mbi studime të mirëfillta kriminologjike, ku organet ligjvënëse, ato ligjzbatuese dhe bota akademike bashkëveprojnë për krijimin e modeleve realiste mbi instrumentet dhe mënyrat se si shoqëria jonë duhet të përballet me fenomenet kriminale. E ndërsa përmirësojmë kapacitetet tona institucionale, objektiv duhet të jetë aftësimi i tyre për t’u përshtatur në një botë që është në ndryshim të vazhdueshëm, përherë e më shumë të hapur e të ndërlidhur.  Ne duhet të jemi largpamës e kreativë, duke rritur aftësitë tona analitike dhe duke i dhënë prioritet një qasjeje strategjike konstante”, tha ai.

Po ashtu Çela shtoi se “ne nuk kemi mundësinë t’i materializojmë të vetëm këto ide, pa mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe bashkëpunimin e kontributin e institucioneve shqiptare. Ne sot presim nga të gjithë ju një vështrim kritik mbi këto ide, presim t’i përpunojmë ato më tej, t’i plotësojmë me ide të reja të sjella prej jush, të cilat të jenë më pas në bazë të projekteve të mirëmenduara e që përfshijnë këdo që mundet të japë një kontribut të vlefshëm. Përmes kësaj iniciative ne synojmë që të japim një ndihmesë reale në mirëmenaxhimin e energjive njerëzore dhe burimeve financiare që çdo vit investohen për forcimin e kapaciteteve të institucioneve të drejtësisë në Shqipëri. Koordinimi i përdorimit të këtyre burimeve të çmuara dhe eliminimi i fenomenit të mbivendosjes së projekteve, duke iu përgjigjur njëkohësisht kërkesave reale që vijnë nga përfituesit e tyre, është hapi i duhur drejt optimizimit të performancës për të gjithë ne”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.