TIRANË, 3 mars/ATSH-A. Fortuzi/- Klubi i Tiranës është gjobitur me 500 mijë lekë nga komisioni i disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit. Për të njëjtat shkaqe u dënuan edhe “Partizani” e “Teuta”, ndonëse me vlera më të vogla monetare.
Gjithashtu dy klubet e kryeqytetit u urdhëruan të paguajnë brenda 15 ditësh dëmet e shkaktuara nga tifozët në shkallët e stadiumit “Air Albania”.
Komisioni i disiplinës u mblodh për të vlerësuar problematikat e javës së shkuar të superligës.
Vendimet e plota:
1. KF Tirana, për sjellje të gabuar të spektatorëve, në bazë të Neneve 65/1, 65/3/c) të KDS dhe Nenit 116 të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike dënohet me gjobë në masën 500.000 (pesëqind mijë) Lekë.
KF Tirana, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në sektorin përkatës të stadiumit “Air Albania Stadium” sipas akt konstatimit të Qendrës Sportive Kuq e Zi, brenda 15 ditëve.
2. FK Partizani, për sjellje të gabuar të spektatorëve, në bazë të Neneve 65/2, 65/3c) të KDS dhe Nenit 116 të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike dënohet me gjobë në masën 300.000 (treqind mijë) Lekë.
FK Partizani, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në sektorin përkatës të stadiumit “Air Albania Stadium” sipas akt konstatimit të Qendrës Sportive Kuq e Zi, brenda 15 ditëve.
3. KF Teuta, për sjellje të gabuar të spektatorëve, në bazë të Neneve 65/1/ dhe 65/3/c) të KDS dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) Lekë.
4. Pranimin e kërkesës së FK Egnatia, pezullimin e zbatimit të pjesës së mbetur të dënimit.