FOTO/KPK seancë dëgjimore me kryetarin e Gjykatës së Vlorës, Skënder Haluci

TIRANË, 3 mars /ATSH – I. Vata/- Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zhvilluar sot një seancë dëgjimore me kryetarin Gjykatës së Rrethit Vlorë, Skënder Haluci.

Trupa gjykuese e përbërë nga Olsi Komici, Valbona Sanxhaktari, Roland Ilia kanë dëgjuar subjektin e rivlerësim për pretendimet e tij në lidhje me pasurinë ku rezulton me probleme gjatë prezantimit.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit tha se në vitin 2015 kryegjykatësi i Vlorës ka blerë 1400 m 2 tokë në Sauk. Në këtë tokë, gjyqtari ka ndërtuar një shtëpi pa leje, të cilën e ka futur në proces legalizimi.

Por sipas KPK-së, kjo pronë (kontrata për pronën) nuk përputhet me deklaratat e pasurisë ndër vite.

Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nga viti 2004 deri në vitin 2016 gjyqtari Skënder Haluci nuk ka deklaruar llogaritë bankare të gruas.

Trupa gjykuese e KPK-së tha se nga gjetjet e tyre, nga rezultuar se kryegjyqtari i Vlorës ka edhe një apartament 106 m2 në Tiranë, por sipas tyre, banesa është blerë nga gjyqtari me vlerë më të ulët seç e ka blerë fillimisht personi që ia shiti. Pra dyshimet e KPK-së janë se vlera në kontratë të ketë qenë fiktive, shumë më e vogël sesa ajo që realisht është paguar.

KPK u shpreh se nga viti 2012-2014, Skënder Haluci nuk justifikon shpenzimet për studimet që vajza e tij ka kryer në Angli.

KPK tha se Skënder Haluci ka edhe një makinë tip Benz me vlerë 400 mijë lekë, me burim pagën e marrë ndër vite. Por edhe për këtë makinë – tha trupa e KPK-së, bilanci i blerjes ka qenë negativ, çështje e cila do të vlerësohet më tej deri në vendimmarrje.

Skënder Haluci është në krye të Gjykatës së Vlorës prej vitit 2010 dhe rezulton se ka marrë edhe dëmshpërblim si i përndjekur politik.

Një ditë më parë, Haluci kishte kërkuar ndryshimin e trupës gjykuese, por kërkesa është rrëzuar sot në nisje të seancës dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Edhe sipas inspektoratit të pasurive kryegjyqtari Haluca nuk justifikonte dot pasuritë, ndërsa pritet tashmë vendimi nga KPK.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.