ZVICËR – OBSH: Përhapja e COVID-19 e përqendruar në pesë shtete

GJENEVË, 2 mars /ATSH-DPA/ – Edhe pse koronavirusi është përhapur në 62 vende, pjesa më e madhe e rasteve janë shfaqur në pesë shtete, deklaroi Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, duke argumentuar se shmangia e një përhapjeje globale është ende e mundur.

Nga më shumë se 88 900 raste globale nga Covid-19, 90% janë raportuar nga Kina, shumica e të cilëve janë nga epiqendra e shpërthimit në provincën Hubei.

“Jashtë territorit të Kinës, janë raportuar më shumë se 8 700 raste, ku katër vende përbëjnë 81% të kësaj shifre”, deklaroi Ghebreyesus , duke shtuar se shqetësimet më të mëdha janë në Korenë e Jugut, Itali, Iran dhe Japoni.

“Kjo nuk është rrugë me një drejtim. Mund ta mundim këtë virus”, shtoi  Ghebreyesus, duke argumentuar se të gjitha vendet mund ta kufizojnë përhapjen e virusit nëse ndërmarrin një veprim vendimtar. / /sara/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.